Atentatori i sulmit në xhaminë kuvajtiane, një saudit; përgjegjësinë e merr ISIS

28/06/2015 00:00

Kamikazi që hodhi veten në erë në xhaminë shiite Imam al-Sadeq në Kuvajt, ishte shtetas saudit. Ministria e Brendshme kuvajtiane e identifikoi atentatorin vetëvrasës si Fahd Suleiman al-Qaba’a.

Të njëjta burime pohojnë se njeriu që me aktin e tij, mori 27 jetë të tjera të pafajshme, kishte udhëtuar drejt Kuvajtit me avion mëngjesin e së premtes, vetëm pak orë përpara se t’i drejtohej xhamisë ku do të shpërthente eksplozivin që kishte lidhur në trup. Përgjegjësinë e sulmit e mori shteti islamik, i cili shiitët i konsideron tradhtarë.

Ky ishte i pari sulm me bombë vetëvrasëse në një xhami shiite në vendin e vogël të Gjirit Arabik, një eksportues i njohur i naftës në mbarë botën, ku myslimanët sunitë dhe shiitë jetojnë secili në mënyrën e vetë, me shumë pak fërkime të dukshme.

Shteti Islamik ka nxitur ndjekësit e tij gjatë së martës që të përshkallëzojnë sulmet gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kryesisht kundër të krishterëve, shiitëve dhe myslimanëve sunitë që luftojnë në krah të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit xhihadist të linjës së ashpër.

Top Channel