7 shtete europiane këshillojnë turistët e tyre në Greqi: Mbani euro me vete

29/06/2015 00:00

Të keni me vete euro në kesh. Ky është udhëzimi i shtatë vendeve europiane ndaj qytetarëve të tyre që do të vizitojnë Greqinë këtë verë.

Britania, Gjermania, Belgjika, Finlanda, Holanda, Suedia dhe Polonia kanë këshilluar turistët nga vendet e tyre që të kenë para’ me vete gjatë vizitës së tyre në Greqi, për arsye të kushteve të jashtëzakonshme financiare të krijuara orët e fundit në vend.

Shumica e këtyre shteteve kanë publikuar udhëzimet e reja në faqet e internetit të ministrive të tyre të Jashtme, përmes të cilave këshillohen që, përveç kartave të debitit apo ato të kreditit, të kenë me vete edhe para’ në kesh.

Me urdhër të qeverisë greke, bankat e vendit do të mbeten të mbyllura për një javë dhe limiti i tërheqjes nga bankomatet do të jetë tepër i ulët.

Një lëvizje e ngjashme është bërë edhe në Qipro para dy vitesh, me qëllim shmangien e tërheqjeve masive të parave nga bankat greke.

Ndërkohë, gjatë së shtunës, por edhe të dielën, në ato supermarkete që kanë qenë të hapura, qytetarët kanë filluar të blejnë sasi të mëdha orizi dhe makaronash, ndërsa radhë të gjata janë krijuar edhe pranë pikave të shitjes së karburantit.

Top Channel