Prej mëngjesit të së hënës, me një vendim të qeverisë greke, të gjitha bankat e vendit nuk janë hapur dhe do të mbeten të mbyllura deri në 6 korrik, një ditë pasi të zhvillohet referendumi. Vendimi përfshin bankat greke dhe të huaja në Greqi.

Gjithsesi, sipas udhëzimeve nuk do të kenë problem shkëmbimet bankare elektronike, ato me përdorimin e kartave të kreditit dhe debitit, si dhe mënyrat e pagesave nëpërmjet “web banking” dhe “phone banking”. Edhe “prepaid cards” mund të përdoren deri në limitin e caktuar që ekzistonte deri para urdhërit për mbylljen e bankave.

Prej së hënës në mesditë, qytetarët do të mund të tërheqin në të gjitha ATM-të deri në 60 euro në ditë, pra 1800 euro në muaj. Turistët e huaj mund të përdorin normalisht kartat e tyre, nëse ato janë dhënë nga bankat e huaja.
 
Ndërkohë, është krijuar edhe një komision i posaçëm që do të miratojë raste urgjente të përdorimit të parave, si pagesa jashtë shtetit në rast sëmundjesh.

Përsa u përket pagave dhe pensioneve, ato do të depozitohen normalisht në llogaritë e klientëve.
 
Ndërkohë, bëhet e qartë se mbyllja e bankave nuk ka të bëjë aspak me pasigurinë e depozitave për të cilat thuhet dhe theksohet se janë të sigurta dhe nuk kanë asnjë problem, pasi janë të mbrojtura me vendim të BQE-së.

Megjithatë, burime qeveritare kanë bërë me dije se me zhvillimet e reja, Greqia ndoshta nuk do të paguajë detyrimin e saj ndaj FMN-së prej 1.5 miliardë eurosh.

Top Channel