SHBA, merr fund arratia e të burgosurit. Qëllohet dhe plagoset nga policia

29/06/2015 00:00

Arratia e madhe ka marrë fund. Policia amerikane fillimisht ka plagosur dhe më pas prangosur David Sweat, krimineli i arratisur më herët gjatë muajit nga një burg i Nju Jorkut.

Sweat u lokalizua në një lokalitet të shtetit të Nju Jorkut, në kufi me Kanadanë. Arrestimi i tij vjen pas vrasjes, ditën e premte, të bashkëpunëtorit Richard Matt, i cili u qëllua për vdekje nga agjentët.

Të dy ata ishin arratisur në fillim të muajit nga një burg i sigurisë së lartë, duke kaluar nëpër tubat e ajrimit dhe që prej atëherë ishin bërë pre e një gjuetie të vërtetë të forcave të rendit, të mbështetura nga helikopterët.

Sweat, i cili u identifikua nga një patrullë policore, tentoi të arratisej në pyll, por një rreshter i policisë e qëlloi duke e goditur dy herë në kurriz.

Aktualisht banditi ndodhet i shtruar në gjendje të rëndë në një spital të Albanisë. Në momentin e arrestimit ai mbante veshur rroba gjuetie, të vjedhura në një kapanon gjuetie. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Matt, kishte arritur të siguronte edhe një pushkë.

Në ditët e para të arratisë, dy të dënuarit kishin hedhur piper përgjatë rrugës që kishin ndjekur për të ngatërruar nuhatjen e qenve që u ishin vënë pas dhe sipas autoriteteve, ia kishin arritur qëllimit.

Kjo, të paktën deri në fundjavë, kur angazhimi masiv i forcave të rendit rrethoi zonën e kërkimeve mes lokalitetit Malone dhe kufirit me Kanadanë.

Matt dhe Sweat ishin kriminelë të dhunshëm, të dënuar për vrasje. Sipas mediave amerikane, natën e arratisë ata bënë disa manikina prej lecke dhe i vendosën nën batanijet e krevatëve të tyre, për të treguar se po flinin.

Top Channel