ISIS financohet nga trafiku i veprave arkeologjike

29/06/2015 00:00

Trafiku i veprave arkeologjike dhe e veprave të artit është burimi i tretë i të ardhurave për organizatat terroriste, një biznes që mbetet mbrapa vetëm pas trafikut të drogës dhe armëve.

Sipas UNESCO-s dhe INTERPOL-it, bëhet fjalë për një xhiro që varion nga 6 në 8 miliardë dollarë në vit në shkallë botërore.

Të dhënat nga Departamenti i Tregtisë në Shtetet e Bashkuara flasin për një rritje të xhiros në fjalë në vitin 2014 me 2 miliardë dollarë e gjysmë, ose 25 për qind, si pasojë e rishitjes së veprave të artit që në Amerikë janë kryesisht arkeologjike.

Së fundmi ka pasur edhe një alarm të fortë të dhënë nga Rezerva Federale për blerjen e tepruar të veprave të artit, për faktin se i heqin likuiditetin tregut.

“Këto të dhëna janë tregues të faktit se Shtetet e Bashkuara, dhe në përgjithësi gjithë Perëndimi, përmes shtëpive të ankandit dhe muzeve britanikë, zviceranë e gjermanë financojnë terrorizmin duke ushqyer këtë tregti. Tregtarët që më pas blejnë materialin, ose që i porosisin përmes katalogëve të vetë muzeve, financojnë ISIS”, deklaron eksperti italian i arkeologjisë, Giancarlo Garna.

“Dhe sa më shumë material qarkullon, aq më shumë para mbërrijnë në dyert e organizatës terroriste, e njohur si Shteti Islamik”, shton ai për “Corriere della Sera”.

Faktikisht, zona ku vepron ISIS është me dendësi të lartë arkeologjike, mes Lindjes së afërt dhe Mesopotamisë, një ndër djepet e para të qytetërimit njerëzor.

Top Channel