Panariti: Vetëm grur me cilësi të lartë në fabrikat e përpunimit

29/06/2015 00:00

Kur qeveria po harton politika të subvencionimit të fermerëve me qëllim shtimin e ofertës së prodhimeve bujqësore vendase, prodhuesit vazhdojnë të përballen me mungesën e tregut.

Prodhuesit e grurit thonë se ky vit ka shënuar superprodhim të grurit, por mbi 70% e nevojave mbulohen nga importi, ndonëse ky produkt vjen në një cilësi më të ulët se ai vendas.

Në një takim me ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti, prodhuesit kërkuan zbatimin e paketës së miratuar nga qeveria, që vendos standarde të larta të cilësisë duke krijuar më shumë hapësirë për prodhimin vendas.

“Kjo do të jetë e mundur nëse qeveria zbaton paketën integrale të standardeve të miellit. Kjo ka të bejë me standardin e miellit të prodhuar në Shqipëri sepse është një hapësirë që e kanë zënë mielli që vjen nga vendet e tjera”, deklaroi Andi Haxhiymeri nga Shoqata e Prodhuesve të Grurit.

“Në këtë mënyrë ne krijojmë një marrëdhënie më të qëndrueshme mes blerësve që drejtohen drejt tregjeve që vërtetë mund të ofrojnë sasira më të mëdha të grurit, por të një cilësie shumë më të dobët për shkak se paketa e re e standardeve e ndalon tashmë këtë gjë, ndërkohë që gruri shqiptar është elitar sa i përket cilësisë dhe meriton të përgatisë bukën e shqiptarëve dhe të eksportohet”, tha nga ana tjetër ministri Panariti.

Sasia më e madhe e këtij produkti, sipas Ministrisë së Bujqësisë, importohet nga Serbia dhe Rusia, të cilat janë më konkurruese në çmim për shkak të prodhimit të lartë të grurit. 

Top Channel