Cameron: Lufta kundër ISIS, betejë e brezit tonë

29/06/2015 00:00

Lufta kundër Shtetit Islamik është një betejë për brezin tonë, ka deklaruar kryeministri britanik David Cameron, lidhur me masakrën në Tunizi që u mori jetën 38 personave, shumica e të cilëve britanikë.

“ISIS mund të mposhtet, por kjo do të kërkojë një kohë të gjatë”, tha Cameron për Radio 4 të BBC, duke shtuar se “ato që ndodhën në Tunizi ishin të tmerrshme dhe shokuan mbarë botën”.

Ai theksoi se, ISIS përbën një “kërcënim ekzistencial” për Perëndimin dhe ka shtuar se, anëtarët e tij në Irak dhe Siri po planifikonin “sulme të tmerrshme” në territorin britanik.

Zoti Cameron, i cili do të drejtojë një tjetër takim të komitetit të emergjencave Cobra, deklaroi se Mbrëtëria e Bashkuar duhet të ketë një përgjigje të gjithanshme ndaj kërcënimit të Shtetit Islamik, përfshirë këtu vijimin e sulmeve ajrore.

I pyetur nëse trupat britanike nevojiten në terren, ai u shpreh: “Strategjia jonë është të ndërtojmë ushtri lokale. Kjo është shumë më e lehtë sesa të pushtosh një vend. Është më e lehtë dhe më e shpejtë, por që natyrisht ka pasoja”.

Kryeministri tha gjithashtu se një avion transporti do të dërgohet në Tunizi këtë të hënë, për të ndihmuar në evakuimin e trupave të viktimave dhe, nëse familjet do të jenë dakord, dërgimin e tyre në Britani.

Ndërkohë, sekretarja e Brendshme, Theresa May vendosi lule në vendin e ngjarjes, në plazhin në qytetin Souse, në nder të viktimave.

Homazhe bënë edhe familjarë të viktimave. Ndërkohë, një numër i vogël turistësh britanikë konsiderohen ende të humbur, me të afërmit e tyre që presin në ankth lajme për ta.

BBC njofton se ka të dhëna se numri i viktimave me shtetësi britanike, që aktualisht është 15, do të arrijë në të paktën 30 sapo të përfundojë zyrtarisht procesi i identifikimit.

Shumica e të vrarëve nuk janë identifikuar ende dhe pjesa më e madhe e detajeve mbi identitetin e tyre deri tani kanë ardhur nga familjarët dhe miqtë.

Top Channel