“Grupi i zjarrit”, arrest me burg për tre të akuzuar

29/06/2015 00:00

Tre nga të rinjtë nga fshati Lazarat, të arrestuar për sulmin me armë zjarri ndaj policisë, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha, dolën këtë të hënë para trupës së Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku morën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Akuzat ndaj shtetasve Klodian Selimi, Dervish Gaba dhe Elvis Boçit janë “vrasje në rrethana cilësuese” të efektivit Basha dhe “vrasje në tentativë për shkak të cilësive të veçanta” në pesë raste. Po ashtu ata dyshohen edhe për “prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municioneve”.

I pari që doli para trupës gjykuese ishte Klodian Selimi, i cili rrëfeu, sikurse para grupit të hetimit, variantin e tij të ngjarjes, të ngjashëm me atë të të arrestuarit të parë, Xhuliano Malo.

Grupi ishte ndarë në tre nëngrupe, mësohet të ketë thënë Selimi nga burime zyrtare, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri. Selimi, sikurse dhe Malo që akutalisht ndodhet në arrest me burg, tregoi emrat e personave të përfshirë në këtë sulm.

Ndërkohë, pritet që të martën në Gjykatën e Krimeve të Rënda të dalin edhe dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, të konsideruar nga prokuroria si organizatorët e këtij sulmi, që sipas hetimeve ishte parapërgatitur prej gjashtë muajsh.

Burimet pohojnë se, në kërkim për këtë ngjarje të rëndë në Lazarat janë edhe Anri Hiri, Bajram Boçi dhe Bervin Basha.

Top Channel