Burg përjetë Arben Frrokut. Apeli rrëzon vendimin e Shkallës së Parë

29/06/2015 00:00

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm biznesmenin Arben Frroku, për vrasjen e kryekomisar, Dritan Lamajt.

Gjyqtari Fehmi Petku deklaroi gjatë vendimit se Frroku konsiderohet fajtor edhe për armëmbajtje paleje, ndërkohë që sipas trupës gjyqësore, vendimi i para pak muajve i Shkallës së Parë prishet. Gjykata lexoi vetëm arsyetimin dhe pritet që në ditët në vijim ky verdikt të zbardhet.

Në fakt gati tre muaj më parë Gjykata e Shkallës së Parë refuzoi kërkesën  e Prokurorisë për të dhënë burgim të përjetshëm për Frrokun , duke e shpallur atë të pafajshëm për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.

Pasi e mbajti nën gjykim për 13 muaj rresht, Gjykata e Shkallës së Parë tha se provat e  Prokurorisë ishin të servirura qëllimisht, kurse rrëfimi i dëshmitarit të mbrojtur nga shteti u cilësuan si kontradiktor.

Menjëherë pas këtij verdikti i pandehuri, Arben Frroku la ambientet e paraburgimit, ku edhe u mbajt gjatë gjykimit, ndërkohë që pafajësia e tij u prit me dyshim nga opinioni publik.

Pak përpara se të shpallej vendimi nga Apeli për Krimet e Rënda, rezulton se biznesmeni Arben Frroku është larguar nga Shqipëria, që do të thotë se tashmë arrestimi i tij do të konsiderohet një kapitull i ri për autoritetet.

Pas vendimit avokati i tij tha se ishte një vendim i marrë nën presion dhe paralajmëroi rekurs.

“Është një vendim nën presion. Ka kohë që drejtësia është nën presion. Megjithatë ne do të ndjekim rrugën ligjore, pasi nuk kemi shteg tjetër për të kundërshtuar. Nuk e di ku ndodhet Frroku. Ka qenë para dy javësh jashtë dhe është deklaruar mungesa. Është një procedurë normale. Nuk jemi në kontakt me të. Çështja do të ndjekë rrugën proceduriale dhe brenda tri ditëve bëhet rekurs”, tha Genc Gjokutaj, avokati i Arben Frrokut.

Përballë dy vendimeve diametralisht të kundërta, nga njëra anë pafajësi dhe nga ana tjetër burgim i përjetshëm, ndodhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili pas një kërkese të Prokurorit të Përgjithshëm ka nisur verifikimet.

Top Channel