Ekspertët: Shqipëria u mësua me krizën greke, por…

29/06/2015 00:00

Ekspertët mendojnë se ekonomia shqiptare nuk ka rreziqe shtesë nga një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj beson se masat që autoritetet kanë ndërmarrë së bashku me FMN-në gjatë viteve të fundit kanë reduktuar fort mundësinë e transferimit të krizave nga jashtë.

“Sistemi ynë bankar, qoftë për bankat me kapital nga Greqia, Austria, apo Italia janë totalisht të pavarura nga bankat mëmë, çka do të thotë që është ndërprerë mundësia që një krizë e një vendi tjetër të vijë në Shqipëri përmes bankave të tij”, deklaron Malaj.

Por, pavarësisht se përjashtojnë mundësinë e goditjeve të drejtëpërdrejta, ekspertët mendojnë se përshkallëzimi i krizës greke kërkon kujdes më të madh.

“Bordi i Stabilitetit Financiar, që nënkupton qeverinë, Ministrinë e Financave, guvernatorin e BSH-së dhe shefat e Autoritetit Mbikëqyrës, duhet të ndjekin me më seriozitet zhvillimet në Greqi dhe të hartojnë një plan masash të detajuara për çdo presion të mundshëm bankar që mund të vijë në vendin tonë”, thotë nga ana tjetër Selami Xhepa.

Për Arben Malaj, ekonomia shqiptare është përshtatur sakaq me krizën greke, pasi i ka marrë pasojat negative që në vitin 2009.

“Shqipëria ka paguar një pjesë të impaktit negativ nga kriza globale, së pari, me rënien e aktivitetit ekonomik, duke qenë se rritja ekonomike ka ardhur në ulje; së dyti, me pakësimin e dërgesave të emigrantëve; dhe së treti, me rënien direkte të investimeve të huaja që ndihet në ekonominë shqiptare”, shprehet Malaj.

Por Selami Xhepa mendon se një dalje e Greqisë nga euro mund ta bëjë më të vështirë rigjallërimin e ekonomisë shqiptare.

“Roli i kapitalit grek në Shqipëri është i rëndësishëm. Marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë të forta, duke qenë se Greqia është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë pas Italisë. Ndaj, zbehja e rolit të Greqisë do të ketë nevojë për një rritje të kapitalit të ekonomive të vendeve të tjera në Shqipëri”, nënvizon Xhepa.

Një ditë më parë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko deklaroi për Top Channel se sistemi bankar shqiptar është i imunizuar edhe ndaj skenarëve më negativë që mund të ndodhin në Greqi.

Top Channel