Rritja e përdorimit të drogës, mjekët: Të miturit, nën ndikimin e përdoruesve

29/06/2015 00:00

Shifrat e përdoruesve të drogës në Shqipëri janë shumë herë më të larta se ato që deklarohen, pasi jo të gjithë kërkojnë ndihmë mjekësore.

Specialistët ngrenë me shumë shqetësim edhe abuzimin me drogërat e lehta, pasi aty nis eksperimentimi, madje që në moshë të vogël, 13 apo 14 vjeç, në ambjente shkollore apo jashtë saj.

“Shifrat janë të larta, por për fat të keq ato reale janë shumë më të larta. Shumë të rinj të ardhur nga rajonet rurale ende nuk janë mësuar me jetesën urbane, gjë që krijon premisat për stres social dhe kjo të çon drejt përdorimit të drogës”, deklaron doktor Zihni Sulaj.

Për ata adoleshentë të cilët zgjedhin të vijojnë eksperimentimin, me hashashin zgjasin shumë pak, vetëm një vit, pasi më pas kërkojnë drogëra të tjera që në Shqipëri nuk është aspak e vështirë t’i gjesh.

“Hashashi është droga hyrëse, eksperimentuese. Përgjithësisht fillohet me drogërat e lehta dhe ka individë që nuk shkojnë në drogërat e tjera, por në masë të konsiderueshme, mbi 60 për qind, e eksperimentojnë 1 apo 2 vjet kanabisin dhe më pas kërkojnë të tjera, diçka më stimuluese. Ata ose kombinojnë kanabisin me alkoolin, ose me qetësues. Por kur kjo nuk mjafton kalojnë tek heroina e kokaina”, nënvizon shefi i repartit të Toskikologjisë.

Por përdorimi i drogës nga kjo moshë delikate i çon adoleshentët në rrugë të tjera të errëta, pasi për të siguruar drogën ata duhet të konfliktohen në familje apo të vjedhin.

“Shfaqet me krime në rrugë, me aksidente, me vjedhje me dhunë në rrugë e familje. Me pasigurinë, me ankthin që kanë prindërit dhe frikën e abuzimit me drogën nga fëmijët që ata do të rrisin”, vijon Sulaj.

Sulaj thotë se reagimi i shoqërisë ndaj këtij fenomeni problematik është shumë i vakët. Familja dhe shkolla nuk duhen fokusuar vetëm brenda 4 mureve, por edhe jashtë saj.

“Tensioni më i madh është në komunitet, nga grupi. Prandaj edhe grupi nuk duhet të shohë vetëm mureve të shtëpisë, pasi rreziku është jashtë”, shton Sulaj.

Sipas tij, nuk duhet ndalur ndërgjegjësimi i të rinjve për pasojat e eksperimenteve të tyre me drogërat, pasi në fillim ata nuk kanë shumë informacion në lidhje me to.

Top Channel