Ekspoforumi, mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike Kosovë-Shqipëri

29/05/2015 00:00

Shqipëria dhe Kosova po punojnë drejt ndërtimit të përbashkët të një termocentrali të ri në Dukagjin, njëri nga basenët e rëndësishëm të linjitit në Kosovë.

Ministri shqiptar i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se janë bërë diskutimet me Korporatën Energjetike të Shqipërisë dhe atë të Kosovës dhe ekziston pajtimi që fillimisht të bëhet një studim parafizibiliteti.

Ai këto komente i bëri në punimet e ekspoforum me temën “Mënyrat e reja ë financimit të projekteve strategjike Shqipëri-Kosovë”.

“Një mundësi e mirë ka qenë dhe po punojmë në këtë drejtim, pse jo të ndërtojmë një aset të përbashkët, afër kufirit Shqipëri-Kosovë për thëngjillin që ndodhet në Dukagjin, ka investitorë të interesuar, së fundi ka investitorë konkret. Unë kam njoftuar kompaninë publike KESH, por e di që edhe KEK-u ka marrë instruksionet e tij, për të bërë një studim para fiziviliteti në mënyrë që edhe investitori të ketë një mundësi për të parë ku do të hedhë kapitalin, dhe pse jo këto burime t’i vëmë në dispozicion të sigurisë energjetike të të dyja vendeve”, u shpreh Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri foli edhe për projekte konkrete që kanë për qëllim shfrytëzimin e gazit, si burim energjie, për çka tha se suksesi i Shqipërisë në këtë çështje, do t’i sjellë Kosovës përfitime gjithashtu. Nga ana e tij, ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati si organizator i këtij forumi theksoi se nëpërmjet krijimit të tregut të përbashkët ekonomik lehtësohet ardhja e kapitalit të diasporës shqiptare.

“Diasporën e konsiderojmë si shqiptare, ashtu edhe ministria jonë këtë qasje e ka pasë në të gjitha mekanizmat që i kemi krijuar në rrjetet e bizneseve marrin pjesë shqiptarët nga të gjitha trevat, derisa është një synim i dy qeverive për të krijuar një treg të përbashkët është pozitive sepse diaspora shqiptare tërheq më shumë për të ardhur me investimeve një treg të përbashkët dhe më të madh”, tha Valon Murati.
 
Promovimi i projekteve të përbashkëta, me fokus ato të energjetikës, ishte thelbi i këtij diskutimi mes autoriteteve të Kosovës e Shqipërisë në fushën e ekonomisë dhe bizneseve.

Vet zyrtarët e pranishëm e theksuan rëndësinë që qeveritë të angazhohen më fort për krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike, heqjen e barrierave dhe promovimin e projekteve të përbashkëta.

Top Channel