Egjipt, humb jetën në atentat kryeprokurori. Dërgoi për gjykim mijëra islamikë

29/06/2015 00:00

Prokurori publik i Egjiptit apo kryeprokurori Hisham Barakat ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në një atentat të kryer ndaj tij me bombë në makinën me të cilën udhëtonte, bëjnë të ditur zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe mjekësisë nga Kajro.

Kryeprokurori ishte shtruar në spital për të marrë ndihmën e shpejtë nga plagët që i kishin shkaktuar xhamat e makinës pas shpërthimit, tha një zyrtar i policisë për agjencinë e lajmeve AFP.

Dy truproja janë plagosur gjithashtu nga sulmi, i cili kishte për objektiv mjetin e tij në periferinë e Kajros, Heliopolis.

Barakat ka dërguar mijëra islamikë në gjyq, që prej rrëzimit të Presidentit Mohammed Morsi në vitin 2013. Qindra prej tyre janë dënuar me vdekje apo me burgim të përjetshëm, si pjesë e mësymjes së bërë ndaj mbështetësve të “Vëllazërisë Myslimane”, e ndaluar ligjërisht.

Militantë xhihadistë, ndërkaq, kanë përshkallëzuar sulmet e tyre ndaj forcave të sigurisë së Egjiptit. Barakat është figura më e lartë që është bërë objekt i një sulmi vrasjeje që prej përpjekjes së vitit 2013 ndaj jetës së ish-ministrit të Brendshëm në atë kohë.

Ngjarja e së hënës përfshiu një bombë nën makinë apo një pajisje shpërthyese e vendosur poshtë saj, pranë autokolonës së prokurorit Barakat, bëri të ditur shefi i skuadrës antieksploziv, Gjeneral Mohamed Gamal, duke folur për agjencinë AFP.

Top Channel