“Formula 1”, me një “armik” më shumë; makinat elektrike të “Formula E”

29/06/2015 00:00

Garat me makina elektrike do të përmbysin popullaritetin e Formula 1 brenda 5 viteve. Kështu është shprehur sipërmarrësi britanik, Richard Branson, teksa të shtunën i është dhënë fund raundit të fundit të formatit të garave, Formula E.

Pas shpalljes së partneritetit mes ekipit të tij “Virgin Racing” në Formula E dhe markës DS të Citroenit, miliarderi nga ishulli shkoi edhe më tej me parashikimet e tij, kur tha se do të ishte në gjendje të vinte bast se, të gjitha prodhimet e reja të makinave do të jenë me bateri brenda një afati kohor 20-vjeçar.

“Mendoj se do të ketë ende vend për Formula 1, por jo shumë gjatë, ndoshta edhe për 5 vite”, tha Branson për reporterët, përpara “London ePrix” (ndryshe nga Grand Prix – Çmimi i Madh – në formatin e garave me makina elektrike etapat konsiderohen ePrix) në Battersea Park, në Jug të lumit Tamiz. “Megjithatë do të vijë edhe dita kur Formula E do të parakalojë Formula 1. Mendoj se pas 4-5 vitesh do të shihni më shumë popullaritet për këtë sport të ri, sesa për sportin elitar momental të garave me makina”, shtoi Branson. “Me kalimin e kohës, çështjet e biznesit me energji të pastër do të dalin më në pah, krahasuar me biznese të tjera që do t’iu ikë koha”.

Branson ka një eksperiencë në të dyja formatet e garave me makina, pasi 64-vjeçari kishte sponsorizuar fituesit e Formula 1 gjatë vitit 2009, “Brawn GP”, ashtu sikurse në vitin 2010 u fut në garë me një skuderi të re “Virgin Racing”, e cila tashmë quhet “Manor Marussia”.

Makinat e garave në Formula E janë më pak të zhurmshme dhe shumë herë më të ngadalta sesa në Formula 1. Sigurisht nuk mund të përfundojnë një gjatësi të caktuar gare për shkak të kufizimeve të teknologjisë me bateritë, por pilotëve iu duhet të ndryshojnë gjatë garës makinat e tyre.

Mbërritja e “DS” sjell një tjetër prodhues të rëndësishëm në këtë format të ri (Citroenin), i cili po zhvillohet dhe vitin e ardhshëm pritet të lejojë skuderitë të zhvillojnë njësitë motorike të tyret. Renault dhe Audi janë përfshirë tashmë, ndërkohë që mjetet elektrike të BMW-së po përdoren si “makina sigurie”.

Jean Todt, president i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, organizmi që drejton qoftë Formula 1 edhe Formula E, ashtu si dhe disa kategori të tjera më të vogla, tha se ende nuk ka ardhur koha të bëhen krahasime mes këtyre dy formateve.

“Mendoj se është një gabim i madh t’i krahasosh ato”, tha francezi, ish-drejtues i Ferrarit. “Janë dy gjëra tepër të ndryshme, apo më saktë është si të krahasosh Londrën me një qytet bregdetar. Ajo që mendoj unë është se njerëzit kanë nevojë për Formula 1, që ndodhet aktualisht në majën e garave sportive të automobilizmit, por kanë nevojë edhe për Formula E, sikurse dhe për garat e tjera, përfshi këtu Formula 3”.

Top Channel