Shoqata e Bankave: Kriza greke nuk prek sistemin tonë bankar

29/06/2015 00:00

Shoqata Shqiptare e Bankave, më anë të një njoftimi për shtyp, siguron të gjithë depozituesit dhe klientët se zhvillimet në Greqi, nuk ndikojnë në stabilitetin dhe funksionimin normal të bankave në Shqipëri.

“Sistemi bankar shqiptar, përfshirë edhe bankat me kapital grek, është financiarisht dhe operacionalisht i pavarur nga sistemet bankare në vende të tjera. Të gjitha bankat tregtare operojnë në Shqipëri si njësi të pavarua ligjore, nën kuadrin legjislativ e rregullator shqiptar, përfshirë kërkesat për kapital dhe mbikëqyrjen bankare. Asnjë nga bankat tregtare në Shqipëri nuk është degë e një banke të huaj”,  thuhet në njoftimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Më tej thuhet se, “sistemi bankar në Shqipëri ka nivele të larta mjaftueshmërie kapitali dhe likuiditeti, çka garanton stabilitetin e tij, funksionimin normal, dhe mosndikimin nga zhvillimet negative në vendet fqinjë”.

“Masat e marra nga Qeveria apo Banka Qendrore Greke përkundrejt sistemit financiar grek, nuk kanë asnjë efekt ligjor në Shqipëri dhe nuk mund të ndikojnë në asnjë mënyrë funksionimin normal dhe stabilitetin e sistemit bankar shqiptar”, mbyllet njoftimi i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Top Channel