Gjykata Speciale, riprocedimi në Kuvend nuk ka pengesa ligjore

29/06/2015 00:00

Kërkesa e Qeverisë së Kosovës për të proceduar sërish në Kuvend amendamentin kushtetues, që i hap rrugë formimit të Gjykatës Speciale, po shihet si e realizueshme nga përfaqësues të Kuvendit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha për Top Channel se, Kuvendi nuk e ka të saktësuar as me ligj he as me rregullore, se kur një projektligj apo amendament mund të kthehet në seancë në rast dështimi. Ai tha se ka pasur raste, që deputetët kanë votuar “kundër” paradite, e “pro” pasdite.

“Kemi praktika të tilla, në të cilat një herë është votuar ‘kundër’, e pastaj është votuar ‘pro’. Nuk e kemi të ndaluar me hapësirë kohore, se për sa kohë nuk duhet që të vijë në Parlament diçka, që nuk votohet sot. Prandaj, për këtë çështje duhet vetëm vullnet politik dhe gatishmëri e subjekteve politike për të votuar, organizim i duhur brenda grupeve parlamentare dhe mund të kalojë pa ndonjë problem të madh”, tha Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit.

Meqenëse të gjitha votat “kundër” Gjykatës Speciale ishin nga Partia Demokratike e Kosovës, prej nga është edhe Haliti, ai tha se udhëheqësia e partisë duhet t’ua sqarojë edhe njëherë deputetëve rëndësinë e votës “pro” themelimit të Gjykatës.

“Unë besoj se, me një angazhim dhe sqarim shtesë të deputetëve të partisë, si dhe me një vullnet të udhëheqësisë së partisë, çështjet mund të rregullohen. Duhet të kihet parasysh, që në momente të caktuara, në politikë nuk pyetet zemra, por arsyeja”, tha Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit.

Edhe Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, tha se Qeveria mund të riprocedojë amendamentin e njëjtë në Kuvend, por – sipas tij, – kjo do ta dëmtojë pak demokracinë.

“Nëse qeveria vendos eventualisht që t’i procedojë projektligjet, ose ta procedojë këtë amendament, nëse e ndërron eventualisht edhe të gjithën sipërfaqësisht, atëherë do të duhej që kjo çështje të shkojë prej fillimit në Gjykatë Kushtetuese, më pas në Kuvend, e më tej të miratohet. Nëse vendos për të njëjtën, që ta riprocedojë edhe njëherë, nuk ka rregulla në rregulloren e punës, që përcakton qartë se çfarë të veprohet. Por, kjo sikur e lëndon pak Kuvendin dhe demokracinë”, tha Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Kryeministri, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, kanë paralajmëruar se, pas konsultave, gjatë ditëve në vijim do të sigurojnë numrat e nevojshëm në Kuvend dhe do të dërgojnë sërish për miratim amendamentin kushtetues, i cili në votimin e parë nuk mori votat e mjaftueshme për t’i hapur rrugë formimit të Gjykatës Speciale.

Top Channel