PD përshëndet vendimin e Apelit dhe akuzon kryeministrin për arratisjen e Frrokut

29/06/2015 00:00

Partia Demokratike përshëndeti vendimin e Gjykatës së Apelit, që dënoi me burgim të përjetshëm Arben Frrokun për vrasjen e komisar Dritan Lamajt dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndihmoi Frrokun në arratisjen e tij nga vendi.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka në një deklaratë për mediet tha se Frroku u përdor nga mazhoranca për të shantazhuar qytetarët në zgjedhjet për Bashkinë e Pukës dhe për këtë u shpërblye me lënien të lirë për të kaluar kufirin.

“E gjithë Puka e di kush e drejtoi fushatën në këtë bashki dhe ditën e shtunë, në prag të vendimit të Apelit, Frroku u largua nga Shqipëria. Pasi u përdor për disa muaj për fushatë elektorale, Edi Rama i dha leje për t’u larguar në drejtim të paditur”, tha Paloka.

Për opozitën ky rast argumenton standardet e zgjedhjeve.

“Ky ishte standardi i Ramës në këto zgjedhje, blerja masive e votës, përdorimi i administratës dhe përdorimi i kriminelëve për të shantazhuar qytetarët”, shtoi Paloka.

Top Channel