Gjyqi ndaj Ivanoviç, dëshmitari: Urdhëroi njerëzit të hidhnin bomba nga banesat e shqiptarëve

29/06/2015 00:00

Në procesin gjyqësor kundër Oliver Ivanoviçit dhe 4 të akuzuarve të tjerë, për krime ndaj popullatës shqiptare më 1999-2000 në veri të Mitrovicës, ka dëshmuar këtë të hënë Imer Morina, i cili tha se natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, serbët po i dëbonin shqiptarët nga banesat dhe shtëpitë e tyre nga veriu i Mitrovicës.

Sipas tij, atë natë, situata në atë pjesë të qytetit ishte tensionuar tej mase nga disa grupe serbe, si dhe ka pasur të shtëna armësh pothuajse gjatë gjithë kohës, ndërsa ka pasur të vrarë dhe të plagosur.

Ai ka pranuar se e kishte njohur Oliver Ivanoviçin rreth 40 vite, si sportist dhe njeri me autoritet në Mitrovicë, ndonëse nuk kishte pasur asnjëherë kontakt me të.

Morina theksoi se, Oliverin e kishte parë natën kritike, duke urdhëruar një grup prej 4 personash, që të hidhnin bomba nga dritaret e banesave.

“E kam parë Oliverin duke urdhëruar njerëzit e tij, që t’i hidhnin bombat nga dritaret në banesat e shqiptarëve. Nga banesa ime kam parë gjithashtu ushtarët e KFOR-it duke bartur njerëz të plagosur, ndoshta edhe të vdekur, nga ndërtesat nëpër automjetet e tyre, por serbët e tubuar i pengonin ata”, tha Morina.

Në lidhje me të akuzuarit e tjerë, Ilija e Nebojsha Vujaçiç dhe Aleksandar Lazoviç, dëshmitari sqaroi se asnjërin prej tyre nuk i njihte, përveç Dragolub Delibashiçit, për të cilin tha se e kishte parë njëherë para lufte me uniformë të policisë.

Top Channel