Raporti vjetor i KQZ-së, kritika për lista zgjedhore të papastruara dhe zgjedhës “të huaj”

29/06/2015 00:00

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar raportin vjetor të punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Anëtarët e komisionit patën kritika rreth mospastrimit të listave dhe pjesëmarrjes së 10 mijë serbëve të Serbisë në procesin e votimit, të cilët nuk kanë pasur dokumente të Kosovës. Gjithashtu, ata ngritën si shqetësim çështjen e rënies së numrit të votuesve nga diaspora në proceset zgjedhore.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se, KQZ nuk ka asnjë kompetencë që të ndërhyjë te listat, për shkak se këtë kompetencë e ka Ministria e Punëve të Brendshme.

“Shqetësimi ynë mbetet puna juaj e përbashkët që bëni me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sesa mundeni ju si KQZ, që lista përfundimtare të jetë më objektive, që t’i nënshtrohet procesit zgjedhor,” tha Armend Zemaj, deputet i LDK-së.

Sa i përket pastrimit të listave, Daka tha se, së bashku me MPB-në kanë formuar një grup pune, që ka punuar për rreth 9 muaj dhe ka eliminuar tashmë rreth 70 mijë votues, si ata që kanë humbur shtetësinë, ashtu dhe ata që kanë vdekur.

Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit nga VV-ja, tha se ka shqetësime, të cilat nuk janë përmendur në raport.

“Është përfshirja e rreth 10 mijë personave, pa qenë fare shtetas të Republikës së Kosovës, në listën e votuesve. Problem tjetër është votimi jashtë vendit. Gjithë ky operacion, i cili është quajtur votim jashtë vendit, ka pasur për qëllim votimin ose bërjen të mundur të qytetarëve, – që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, – që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë”, ka thënë Haxhiu.

Top Channel