Puthjet… kur shndërrohen në garë

29/06/2015 00:00

Sfidat për “mashtrimin e ëmbël natyror, për t’u thënë ndal fjalëve të panevojshme”

“Puthja është një mashtrim i ëmbël, i krijuar nga natyra, për t’u thënë ndal fjalëve, kur ato bëhen krejtësisht të panevojshme”. Kështu e përkufizoi vite më parë fuqinë e puthjes, aktorja legjendë e Hollivudit, Ingrid Bergman, imazhi i së cilës shpeshherë lidhet me puthjet e saj të zjarrta nëpër role, si në filmin “Casablanca”.

Ndër vite janë thënë e janë dhënë shumë receta për puthjen, atë idealen, që e çon nivelin e romancës në maksimumet e saj. Është konsideruar si një lidhje shumë e rëndësishme mes dy personave, e cila jepet në larmi formash dhe mënyrash. Por, ajo çka theksohet më së shumti mes këshillave dhe që konsiderohet edhe si çelësi i suksesit është: Kënaqni edhe partneren apo partnerin gjatë puthjes, jo vetëm veten tuaj!

Pikërisht si element kryesor i një dashurie, ajo është bërë shpeshherë shkaku i disa konkurseve të zhvilluara në botë. Duke përcjellë një mesazh specifik, këto konkurse kanë tërhequr një numër të madh pjesëmarrësish, ku ata më të mirët nuk janë ndarë pa ndonjë dhuratë apo shpërblim.

Para dy vitesh, në Ëuhan të Kinës u zhvillua një konkurs, në të cilin çifti, që realizonte një seri të gjatë pozicionesh puthjeje, fitonte një unazë prej diamanti.

Edhe në Paris gjithashtu, qyteti i dritave dhe dashurisë, pothuajse çdo vit organizohen konkurse për pozën më të bukur të puthjeve.

Edhe Shqipëria është bërë shpeshherë vendi, ku ka organizime të tilla. Përmes rrjeteve sociale, çifteve u ofrohet si mundësi të postojnë foto puthjesh dhe, ajo që merr më shumë pëlqime se të tjerat është fituese e konkursit.

Top Channel