Ibrahim Basha, një ëndërr e prerë në mes

29/06/2015 00:00

Ibrahim Basha, tashmë Dëshmor i Atdheut, e kishte prej kohësh ëndërr të bëhej pjesë e forcave RENEA. 31-vjeçari e donte uniformën më shumë se çdo gjë tjetër, duke i kushtuar shumë mund përgatitjes për ta veshur një ditë.

6 muaj më parë ishte bërë pjesë e repartit elitë, kohë kur sapo ishte kthyer nga disa misione paqeruajtëse në Afganistan. Gjatë 7 viteve shërbeu si pjesë e trupave komando, në një nga pikat më të rrezikshme të botës, ku u dallua për profesionalizëm dhe përkushtim.

Askush nuk e mendonte se, jeta e specialit do të ndërpritej mëngjesin e 24 qershorit, nga një pritë e armatosur në fshatin Lazarat, ku mbetën të plagosur edhe dy kolegë të tjerë.

Nga natyra, Ibrahimi ishte një djalë i hedhur, i shoqërueshëm, gazmor dhe besnik. Që në fëmijëri kishte pasion sportet. Ai donte gjithashtu edhe shkollën, por vështirësitë ekonomike bënin që ndonjëherë ta neglizhonte atë, për të punuar dhe për të ndihmuar familjen.

Pëlqente sfidat dhe nuk i mungonte guximi për të arritur atë që donte. Ishte gjithashtu i apasionuar pas makinave. Adhuronte shpejtësinë, ndërsa të gjithë e thërrisnin me nofkën “Ferrari”.

Në kujtimet e shokëve, Ibrahim Basha do të mbetet gjithmonë djali fjalëpak me zemër të madhe, i cili, edhe pse kishte pak kohë në RENEA, diti të fitonte respektin e të gjithëve.

Top Channel