Peripecitë e jetës së 13-vjeçarit autik, Muonis Masha

29/06/2015 00:00

Muonisi ishte fëmija i parë, i cili solli gëzimin e një jete të re në familjen Masha. Një djalë i bukur dhe pa probleme të shëndetit në dukje. Por, do të kalonin vetëm 6 muaj nga ardhja e tij në jetë, që prindërit të mësonin se, i vogli kishte kufizim në dëgjim e për pasojë edhe në të folur.

Aty nisi beteja e tyre e parë me shëndetin, për të zvogëluar sadopak këtë anomali të djalit. Por më e keqja, ende nuk kishte ardhur.

Në moshën dyvjeçare, Muonis diagnostikohet me autizëm. Vështirësia e prindërve për të komunikuar dhe integruar të voglin e tyre u dyfishua. Vitet e para të jetës së të voglit, ata i kthyen në një luftë të vazhdueshme kundrejt barrierave dhe vështirësive, për të përmirësuar sadopak cilësinë e jetës së Muonis.

Dhe sikur të mos mjaftonin mundimet, në moshën 6-vjeçare prindërit mësojnë se djali tyre kishte një masë tumorale në kokë. Përballë vuajtjeve të deriatëhershme, frika se mund ta humbisnin të voglin ishte përtej çdo ndienje. Të gjithë bashkë nisën një betejë të fortë.

Prej atëherë, Muonisi u është nënshtruar 4 operacioneve në kokë. Ka qëndruar një muaj në koma, pësoi paralizë, por falë vullnetit dhe përkushtimit shumë të madh të prindërve, ai sot jeton normalisht jetën e tij pavarësisht kufizimeve, me të cilat ka ardhur në jetë.

Top Channel