Drini, djaloshi autik që komunikon përmes pikturës

29/06/2015 00:00

Për çdo piktor, organizimi i një ekspozite është një ngjarje e madhe. E tillë është kjo ditë edhe për Drini Sallakun, një i ri me autizëm. Vetëm se, ndryshe nga të tjerët, ai nuk arrin t’i ndajë dot emocionet përmes fjalës, por në telajo.

“Ky fëmijë ka shumë brenda vetes. Nëse nuk shpërthen dot me fjalë, e bën këtë me pikturë. Ai arrin të përcjellë faktin që botën e shikon të qeshur, me ngjyra”, thotë mësuesja.

Drini nuk është ushtruar kurrë në ndonjë kurs pikture. Këtë talent, ai e ka zhvilluar vetëm dhe me mbështetjen e prindërve, të cilët nuk janë artistë. Megjithatë, punimet e tij janë për t’u vlerësuar.

Bota e Drinit nuk është bardhezi, siç mund të perceptohet rëndom nga të tjerët. Përtej vështirësive, ai është një djalë me shumë intuitë dhe mbi të gjitha ka një talent.

“Çdo fëmijë me çrregullime autizmi ka një fushë, në të cilën është shumë i përparuar dhe prindërit, pikërisht atje duhet të fokusohen. Drini ka pikturën, një pjesë ku shpreh emicionet, dëshirat dhe energjitë e tij”, thotë psikologia.

Përmes pikturës, Drini ia del të tejkalojë pengesat e komunikimit. Kjo e ka bërë atë më të lexueshëm dhe, mbi të gjitha, të përparojë brenda kufizimeve, që i shkakton çrregullimi.

“Djali ka aftësinë që çdo ditë nxjerr diçka të re, e për këtë shfaqet i gëzuar. Për çdo punë që do të bëjë, çdo urdhër dhe dëshirë që kam, ai ma plotëson. Për çdo urdhër më bindet. Sot ka qenë ndihmësi im i parë, sepse këtu ka pasur shumë fëmijë dhe ky ishte i vetmi që merrte komandën dhe më sillte veglën që më nevojitej”, thotë i ati.

Ekspozita e së hënës mban emrin e Drinit, i cili ka mbërritur deri këtu me shumë pengesa. Në të ardhmen, prindërit shpresojnë që talenti i tij të kthehet në një profesion, ku i riu të mbështesë veten.

Top Channel