U arratis me Ilir Kupën nga burgu i Trikallasë, prangoset në Vlorë

29/06/2015 00:00

Një 27-vjeçar i arratisur nga burgu i Trikallasë në Greqi, së bashku me Ilir Kupën, u arrestua këtë të hënë nga policia e Vlorës në kuadër të operacionit të koduar “Streha e Fundit”.

I arrestuari është shtetasi Klement Çala, lindur dhe banues në Elbasan. 27-vjeçari është prangosur në lagjen “24 Maji” të qytetit të Vlorës, teksa ishte duke udhëtuar me mjetin e tij. Në momentin kur ka parë policinë, i riu ka braktisur makinën dhe është përpjekur t’u shmanget uniformave blu, por pa ja dalë mbanë.

Në këto kushte ai është munduar t’i shpëtojë arrestimit duke pretenduar se ishte një shtetas i Kosovës, me emër Semir Koca. Për këtë ai zotëronte edhe një pasaportë dhe kartë identiteti kosovare. Por pas verifikimeve u mësua se që të dyja këto dokumente ishin të falsifikuara.

Çala është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Greqia për një sërë veprash penale, që nga mbajtje dhe përdorim lëndësh shpërthyese, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, tentativë vrasjeje, trafik droge e të tjera.

Ndërkohë, në banesën e marrë me qira nga Klement Çala u prangos një tjetër person. Alkond Bengasi, po nga Elbasani, u prangos pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit. Një vit më parë ai është i dënuar 3 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Në ciëlsinë e provave materiale, policia sekuestroi një pistoletë tip “TT”, dy krëhëra të mbushur me fishekë, një pasaportë dhe një kartë identiteti të Kosovës, që të dyja të falsifikuara, lëndë narkotike hashash dhe automjetin benz me targa AA447KO, që të gjitha të shtetasit Çala.

Top Channel