Basha pret bashkëraportuesit e KiE-së: Shqipëria, në listën e vendeve ku nuk ka zgjedhje të lira

29/06/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti këtë të hënë bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jonathan Evans, Andrej Hunko,  Bas Klein, zv-Kryetar i Sekretariatit të Komisionit të AP të KiE-së dhe Delphine Freymann, Sekretare e Komisionit të Monitorimit të AP të KiE-së.

Basha u tha bashkëraportuesve se “ky proces  e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve që nuk realizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Kreu i PD-së përmendi këtu kandidimin nga mazhoranca të personave me rekorde kriminale,  të cilët, sipas tij, ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës si dhe perdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota.

“Në zgjedhje u përfshinë  banda të lidhura me pushtetin, që kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, akitivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë”, thuhet në komunikatën e shpërndarë nga PD.

“Me mijëra raste janë faktuar tashmë nga opozita dhe mediat, tha zoti Basha,  të falsifikimit të kartave të identitetit duke mundësuar votimin në 21 qershor të personave që nuk ndodheshin në Shqipëri”.

Basha ka folur edhe për “presionin e jashtëzakonshëm që qeveria dhe mazhoranca ushtroi ndaj mediave, duke përmendur këtu rastin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili kërcënonte gazetarët  me vendin e punës nëse thonin të vërtetën, mbyllja e një televizioni, i cili denoncoi falsifikimin e  kartave të identitetit disa ditë para zgjedhjeve apo shoqërimi në komisariat i fotoreporteres së kandidatit të opozitës në Gjirokastër, pasi kishte shkruar një status në Facebook kundër kandidates së mazhorancës”.

“Për herë të parë në 25 vite demokraci në Shqipëri, është shënuar dhe një rast i paprecedent, antidemokratik e antieuropianist, ai i kërcënimit të zgjedhësve nga krerët e qeverisë, se po votuan për opozitën nuk do të kishin bukë dhe ujë”, mësohet të ketë thënë Basha.

Në këto zgjedhje, theksoi lideri i opozitës, është shënuar blerje masive e votës me para të korrupsionit dhe krimit të organziuar, fakt tashmë i regjistruar si shqetësim madhor edhe nga raportet zyrtare të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Basha vuri theksin në këtë takim se pas 25 vitesh në Shqipëri goditet rëndë demokracia, cka kulmoi meshkatërrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sot Shqiperia është në një udhëkryq të vështirë,- tha zoti Basha, por Partia Demokratike është e vendosur dhe do të qëndrojë me  të gjithë forcën e saj për të mos lejuar kthim prapa dhe për të rivendosur standartet demokratike dhe të shtetit ligjor.

Top Channel