Shefi i “British Petroleum”, në Tiranë. Takon Ramën dhe Gjiknurin

29/06/2015 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë prestigjioze të naftës “British Petroleum”, Bob Dudley vizitoi të hënën Tiranën. Ai u prit në një takim nga Kryeministri  Edi Rama dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Drejtuesi i BP-së shfaqi interesin e tij për ecurinë e deritanishme dhe konkretizimin sa më të shpejtë të projektit të gazsjellësit “TransAdriatik Pipeline” (TAP).

Kompania BP është operatori dhe një ndër aksionerët kryesorë të konsorciumit që po zhvillon vendburimin e gazit ShahDeniz II në Azerbajxhan, duke pasur 28.8% të aksioneve të këtij konsorciumi. Që prej 30 korrikut të vitit 2013, BP ka marrë 20% të aksioneve në kompaninë TAP AG, duke qenë njëkohësisht edhe në rolin e lidershipit.

Kryeministri Rama dhe ministri Gjiknuri e kanë njohur drejtuesin e BP me hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të mbështetur projektin e gazsjellësit, ashtu sikurse edhe për gazifikimin e Shqipërisë.

Drejtuesi i BP shprehu interes për t’u njohur më në detaje nga pala shqiptare me punën që po bëhet për studimin e fizibilitetit dhe masterplanin e gazit, dokumente që do të hapin dritën jeshile duke qartësuar projektet, ku mund të kryhen investime, me synim që në momentin kur në Shqipëri të mbërrijë gazi nga fushat e Shah Deniz, vendi të ketë gati infrastrukturën e gazit për të garantuar përfitime maksimale.

Rama dhe Gjiknuri e njohën gjithashtu drejtuesin e BP,  Dudley, edhe me hapat e ndërmarrë për promovimin e investimeve të huaja në fushën e kërkimit dhe të prodhimit të naftës.

Top Channel