PS feston 24-vjetorin dhe fitoren. Rama i falënderon të gjithë kontribuesit

29/06/2015 00:00

Të gjithë bashkë! Që nga themeluesit, e deri te më të rinjtë, festuan 24-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe fitoren e koalicionit të majtë më 21 Qershor.

Pas batutave me krerët e partive të koalicionit, Rama bëri edhe këtë urim për Lulzim Bashën:

“Gëzuar ditëlindjen edhe kryetarit të opozitës, e ka në të njëjtën ditë me Partinë Socialiste dhe as këtë herë, njësoj si pas 23 qershorit, nuk ia urova dot në kohën reale, sepse ne ishim në fushatë për bashkitë, kurse ai ishte në fushatë për referendumin kundër reformave të qeverisë. E ftuam të ishte me ne sot, siç ftuam edhe të tjerë kolegë të tij dhe do të kisha qenë i lumtur nëse do të kishte ardhur, sepse do të më ishte dhënë rasti ta falënderoja sinqerisht, jo për kontributin në fitoren tonë natyrisht, por për nismën e tij personale për referendumin. Por, jam i bindur se miku i të gjithëve, Tritan Shehu, të cilin e përshëndes për praninë e tij këtu, do ta informojë hollësisht për këtë falenderim”.

Më pas do t’i vinte radha një komenti për humbjen e referendumit të opozitës.

“Falë kryetarit të Partisë Demokratike, në këto zgjedhje ne bëmë një rrugë dhe dy punë. Morëm edhe ‘po’-në e popullit për të qeverisur 75% të bashkive dhe afro 80% të popullsisë së vendit, që ishte puna jonë, por edhe ‘Jo’-në popullore për referendumin kundër reformave, që ishte puna e tij. Për të qenë i ndershëm deri në fund dua të nënvizoj se ajo ishte një ‘Jo’ aq ulëritëse sa e katandisi aleancën e PD-së afro 200 mijë vota nën mbështetjen e vitit 2013, jo sepse shqiptarët janë të lumtur me rezultatet e qeverisjes, por sepse e refuzojnë kategorikisht opozitarizmin e improvizuar, pa vizion, pa alternativë dhe pa udhëheqësi”, theksoi kryeministri Rama.

Rama shpjegoi sesi ai dhe qeveria e lexojnë votëbesimin e shqiptarëve më 21 Qershor.

“Me një milionët e javës së shkuar u bënë dy milionë brenda dy vitesh dhe ky është numri i shuplakave të popullit për PD-në, por nuk është asesi numri i duartrokitjeve për sukseset tona. Nëse vota e 21 Qershorit ka ndonjë domethënie politike për sa i takon shumicës sonë qeverisëse, unë e kuptoj atë si një votëbesim jo për atë që kemi bërë, por për atë që kemi treguar se duam dhe mund të bëjmë. Madhësia e kësaj fitoreje përcakton një nivel të atillë përgjegjësie, që neve na imponon ecjen edhe më shpejtë dhe me më shumë vendosmëri në rrugën e reformave reale. Shqiptarët e zakonshëm anembanë vendit e treguan edhe njëherë se s’kanë frikë nga reformat që çojnë në drejtimin e duhur, dhe i mbështesin ato pavarësisht nga dhimbjet, mjaft që të kuptojnë apo thjesht ta ndjejnë se reformat janë të duhurat për ta nxjerrë Shqipërinë në dritë”, tha më tej Rama.

“Është ndër më të vështirat që kemi hasur në jetën tonë politike dhe përbën një peshë shumë herë më të madhe në barrën e përgjegjësisë së jashtëzakonshme, që na është besuar më 23 qershor të dy viteve më parë. Çasti i parë që do ta harronim këtë, do të ishte çasti i parë që do të ndalonim së qëni qeveria që meritojnë shqiptarët. Ashtu sikundër do të ishte fatale për ne, që të mos e jetonim çdo çast të përgjegjësisë sonë me ndjesinë e urgjencës së jashtëzakonshme të njerëzve, për ta parë jetën e tyre të ndryshojë në drejtimin e duhur”, u shpreh Rama.

Pak para fillimit të ceremonisë, Ilir Meta, i pyetur për bashkëpunimin me PS, tha shkurt: Rezultate të papara!

Meta u pyet edhe për ndryshimet e përfolura në qeveri.

“Keni filluar të flisni në emër të të gjithë njerëzve? Të atyre një milion që votuan për ASHE-në?”, pyeti Meta.

E ndërsa Meta ishte i kursyer në përgjigje, dy prej ministrave të LSI-së në kabinetit “Rama”, shuan çdo aludim për probleme brenda koalicionit.

“Është një përvjetor që na gëzon shumë, sepse përkon edhe me një fitore spektakolare të së majtës së bashkuar. Është një pakt, i cili bazohet në besnikëri dhe në frymën e bashkëpunimit, që u duk qartë se kontribuoi edhe në fitoren e jashtëzakonshme që e majta e bashkuar arriti në këto zgjedhje”, u shpreh ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

“Besoj se prania e të gjithë përfaqësuesve më të lartë të LSI-së tregon qartë që marrëdhëniet e koalicionit janë të shkëlqyera. Rezultati i zgjedhjeve ishte i shkëlqyer. LSI votat i mori të gjitha bio”, deklaroi më tej ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Sikurse edhe në përvjetorët e shkuar të PS-së, pavarësisht se i ishte dërguar ftesë, mungoi kryetari historik i kësaj partie, Fatos Nano, për të cilin ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, dha këtë mendim.

“Është një kënaqësi që të marrësh pjesë në përvjetorë të tillë, aq më tepër kur gërshetohet dhe me një ngjarje tjetër të rëndësishme, siç ishte fitorja në zgjedhjet e pushtetit vendor. Ai që kritikon me dashamirësi kurdoherë vlerëson dhe kërkon më të mirën. Nano e ka ndarë veten me kohë, nuk besoj se kthehet, sepse ka gjetur rehat andej nga shkon”, deklaroi ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi.

Top Channel