Takimi Prishtinë-Beograd përfundon pa marrëveshje

30/06/2015 00:00

Takimi i së hënës, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, përfundoi pa arritjen e një marrëveshjeje të shumëpritur, veçanërisht për Beogradin që kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën për hapjen e kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit në BE.

“Pas 16 orëve punë, kemi finalizuar tekstin e dy marrëveshjeve: mbi parimet e krijimit të shoqatës apo komunitetit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe në marrëveshjet e zbatimit në fushën e telekomit”, u shpreh përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, në njoftimin e posaçëm për shtyp, pas tryezës së përbashkët me të dy kryeministrat, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç.

“Marrëveshja përfundimtare politike megjithatë nuk mund të arrihet”, sqaroi kryediplomatja europiane.
 
Zyra e shtypit e BE-së njoftoi se tashmë do të reflektohet për hapat e ardhshëm, pas dështimit të raundit të 27-të të Dialogut të Nivelit të Lartë Prishtinë-Beograd.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel