Indonezi, më shumë se 100 të vdekur nga rrëzimi i avionit

30/06/2015 00:00

Më shumë se 100 persona dyshohen të kenë vdekur pas rrëzimit të një avioni ushtarak në një zonë të populluar, vetëm pak pasi ishte ngritur në fluturim, në pjesën veriore të Indonezisë gjatë së martës, në atë që mund të konsiderohet pa frikë si aksidenti më vdekjeprurës ajror sa i përket një Force Ajrore me një histori të gjatë përplasjesh.

“Për momentin dimë vetëm faktin se ishin 113 persona në bord. Deri më tani duket se nuk ka asnjë të mbijetuar”, është shprehur Agus Supriatna, marshall i Forcave Ajrore, duke folur nga qyteti Medan i ishullit Sumatra, i cili bën të ditur edhe një tjetër detaj, se disa prej pasagjerëve të atij avioni ishin familjarë të oficerëve të flotës ajrore.

Përplasja e avionit “C-130B Hercules”, i cili u bë pjesë e shërbimit ushtarak rreth gjysmëshekulli më parë, pritet të ngrejë të tjera probleme për rekordet e kobshme të sigurisë ajrore dhe avionët tejet të amortizuar të Indonezisë.

Zyrtarët thanë se avioni ishte përplasur në një zonë me banesa në Medan, ndërsa dëshmitarët thanë se ai kishte shpërthyer vetëm pak para se të përplasej mbi shtëpitë e banimit dhe një hotel.

Një zyrtar në kushtet e anonimatit tha se 55 trupa janë gjetur deri më tani. Fillimisht, në momentet e para të incidentit ajror zyrtarët thanë se në avion gjendej vetëm ekuipazhi prej 12 vetësh.

Top Channel