KQZ shqyrton kërkesat e partive. LSI, ankesë për rezultatin e Bashkisë së Vorës

30/06/2015 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vijuar edhe këtë të martë shqyrtimin e ankesave të subjekteve zgjedhore, që kundërshtojnë tabelat e rezultateve për bashki ose këshilltarë bashkiakë.

Ndër kërkesat që do të shqyrtohen gjatë ditës së sotme është edhe ankesa e LSI-së për Bashkinë e Vorës. LSI kërkon shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në këtë zonë zgjedhore, pasi, sipas saj, në disa qendra votimi ka pasur votues fiktivë.

Në zgjedhjet e 21 Qershorit në Bashkinë e Vorës, në përfundim të numërimit të votave, fitues rezultoi kandidati i koalicionit të djathtë Fiqiri Ismaili. Ismaili fitoi me rezultat të ngushtë ndaj kandidatit të koalicionit të majtë, Luan Sallaku, i propozuar nga LSI.

Situata parazgjedhore në Vorë u shoqërua me tensione, pas akuzave të LSI-së ndaj kandidatit Ismaili për shtim fiktiv të listave të votuesve në këtë zonë zgjedhore.

Në kërkesën e saj, LSI kërkon shpalljen të pavlefshëm votimin në disa QV në këtë bashki. Përpara datës së zgjedhjeve, kjo parti kishte denoncuar transferimin në mënyrë fiktive të të paktën 600 qytetarëve në këtë bashki, me qëllim që të votonin për kandidatin e djathtë.

Një ditë më parë, KQZ shqyrtoi kërkesën ankimore të paraqitur nga Partia Bashkimi Liberal Demokrat, e cila kundërshtoi vendimin për Këshillin e Bashkisë së Klosit. Ndaj këtij vendimi, në KQZ është ankuar dhe Partia Lëvizja e Legalitetit, e cila po ashtu kundërshton tabelën përmbledhëse për këtë këshill.

Top Channel