Incident në “trenin-plumb” në Japoni, dy persona të vdekur

30/06/2015 00:00

Dy persona kanë vdekur pasi një prej tyre i vuri vetes flakën, teksa ndodhej në bordin e trenit “Shinkansen”, në Japoni, i njohur ndryshe si “treni-plumb”.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat japoneze, sipas të cilave personi fillimisht spërkati veten me karburant teksa ndodhej në vagonin e parë të trenit dhe më pas i vuri zjarrin vetes.

Mjeti po udhëtonte nga kryeqyteti Tokio për në Osaka, me rreth 1 mijë pasagjerë në bord. Ai ndodhej pranë qytezës Odauara kur butoni i emergjencës u shtyp.

Mediat lokale kanë transmetuar pamje të trenit të ndaluar dhe tym të bardhë që dilte prej tij. Ndërkohë, të paktën 6 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, deklaruan autoritetet lokale.

Të gjithë trenat e hekurudhës së shpejtë të linjës Tokio-Osaka kanë ndaluar. Autoritetet nuk kanë publikuar ende të dhëna mbi motivet e shkaktarit të aksidentit, por po e trajtojnë rastin si vetëvrasje.

Zyrtarët e hekurudhës thanë se, treni ndaloi menjëherë pasi u shtyp butoni i emergjencës. Personi që i vuri flakën vetes u gjet në afërsi të tualetit të vagonit, ndërsa viktima e dytë, një grua, në skajin tjetër të tij.

Ajo dyshohet të ketë humbur jetën nga impakti i frenimit. Burime zyrtare të cituara nga agjencia e lajmeve “Kyodo News” thonë se, drejtuesi i trenit u përpoq të shtuante zjarrin.

Trenët-plumb në Japoni, që kanë një reputacion të fortë sa i takon sigurisë, arrijnë një shpejtësi prej 320 km në orë.

Top Channel