Basha takon shefen e ODIHR: Shqetësime të përbashkëta për zgjedhjet

30/06/2015 00:00

Partia Demokratike synon që raporti përfundimtar i ODIHR-it pak javë më vonë të mos i çertifikojë zgjedhjet e 21 qershorit si të lira e të ndershme. Lulzim Basha po takon ambasadorët me më shumë influencë, përfshirë edhe ambasadoren e ODIHR-it, Audrey Glover.

Në raportin paraprak, ODIHR kishte disa vërejtje për zgjedhjet dhe Partia Demokratike po përpiqet të paraqesë prova. Basha thotë se vëzhguesit ndërkombëtare dhe opozitën i bashkojnë faktet për shitblerje masive të votës, kandidimi i personave të inkriminuar, përdorimi i bandave nga psuhteti për të kërcënuar aktivistët dhe kandidatët e opozitës, si dhe presioni dhe perdorimi i administratës publike.

“Kemi shqetësime të përbashkëta me ODIHR. Shkatërrimi i zgjedhjeve është i dokumentuar. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me OSBE-ODIHR, SHBA dhe BE për të ndalur këtë gremisje të demokracisë dhe për të dalë nga ky udhëkryq ku e futën vendin Edi Rama dhe Ilir Meta me shkatërrimin e zgjedhjeve”, deklaroi Basha pas takimit me Glover.

Partia Demokratike ende nuk ka thënë në formë përfundimtare nëse i njeh zgjedhjet apo jo, por nuk kanë munguar zëra lokalë për mosnjohje mandatesh.

I tillë ka qenë ai i kryetarit demokrat të degës së Durrësit, Osman Stafa, i cili në një postim në Facebook deklaron se, nuk njeh asnjë përgjegjësi të vetën ose të kandidates Grida Duma, por diferencën prej rreth 14 mijë votash në favor të kandidatit të qeverisë e sheh si blerje të qytetarëve të vetë, ose si shitje nga disa demokratë të vetë.

Analiza e zgjedhjeve ende nuk ka nisur në Partinë Demokratike, por një ditë para mbledhjes së grupit parlamentar, kryetari Basha shpalli betejën e re të opozitës.

“Me gjithë forcën tonë të nisim betejën pa kthim për standardet e zhbëra. Kjo do të thotë rishikim total të sistemit për të pamundësuar këtë maskaradë dhe banditizëm masiv për zgjedhjet. Por edhe më shumë se kaq, një zhgënjim i madh kombëtar në mbrojtje të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira si parakusht i demokracisë funksionale”, theksoi Basha.

Shpallja e këtij misioni të ri të opozitës koinçidon me ditën, e cila ishte caktuar me ndërmjetësimin ndërkombëtar dhe konsesus parlamentar si afati i fundit kur qeveria dhe opozita do të duhej të kishin zbatuar marrëveshjen për dekriminalizimin. 

Top Channel