E ardhmja e ekonomisë greke dhe qëndrimit të saj në Eurozonë do të vendoset gjatë ditëve në vijim. Referendumi i 5 korrikut u kërkon grekëve të pranojnë ose jo reformat e propozuara prej kreditorëve ndërkombëtarë. Liderët europianë e përshkruajnë nismën plebishitare si zgjedhje mes qëndrimit në zonën e monedhës së përbashkët apo daljes prej saj.

Ekspertët shohin katër mundësi të rrjedhës që do të marrë situata.

E para është arritja e një marrëveshjeje të minutës së fundit. Pala kreditore preferon padyshim një zgjidhje politike të ngërçit: pakti vuloset, Greqia qëndron në Eurozonë dhe paguan borxhet. Vetëm se arritja e një ujdie që t’i lejojë shtetit helen përftimin e fondeve të nevojshme për t’i shlyer FMN-së 1,6 miliardë eurot që i detyrohet deri në mesnatën e sotme, duket praktikisht e pamundur.

Një tjetër rrugë që çon drejt të njëjtit destinacion do të ishte vota pro në referendumin e së dielës. Për Syrizën, që rekomandon kundërshtimin e reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët, kjo votë do të nënkuptonte një moment tepër të vështirë politik. Kredibiliteti i Tsiprasit do të lëkundej ndjeshëm e mbase edhe mund ta japë dorëheqjen vërtet siç paralajmëron. Sidoqoftë, ka një problem me të dy këto skenarë. Edhe nëse Syriza angazhohet për një program politikash ekonomike të pranueshëm për Eurozonën, lind pyetja: a do të kenë besim 18 anëtarët e tjerë të saj se Greqia do ta vërë realisht në jetë apo do të mbetet thjesht një premtim në letër?

Është dhe mundësia e një vote “Jo”, siç do të dëshironte Tsipras. Një vendim i tillë i votuesve grekë do të ishte prologu i një periudhe të gjatë pasigurie dhe krize, që do të përfundonte me largimin e Greqisë nga Eurozona dhe rikthimin e monedhës së vjetër kombëtare, sipas disa analistëve, me të njëjtin emër: dhrahmi. Të tjerë mendojnë se në qarkullim do të hidhet një monedhë e re. Skenari do t’i jepte jetë një zinxhiri ngjarjesh të rrëmujshme e mbase do ta shtynte Bankën Qendrore Europiane të ndërpriste në mos të gjitha, shumicën e huave për bankat greke me argumentin se i konsideron të paafta të shlyejnë detyrimet. Sa për rivendosjen e dhrahmisë, nëse ndodh vërtet, bindja e përgjithshme është se do të humbasë në vlerë, çka do të sillte edhe rrezikun e inflacionit, ndërsa do të rritet çmimi i importeve.

Mundësia e katërt dhe e fundit është një votë “Jo” dhe një largim i negociuar nga Eurozona. Një lëvizje e tillë mund të jetë më pak pështjelluese, por sërish depozituesit grekë do t’i shohin paratë e tyre të konvertohen me humbje. Ndërkohë, nëse Greqia nuk dëshiron vetë të dalë nga zona e euros, nxjerrja e detyruar e saj do të ishte e paperceptueshme në aspektin ligjor, pasi nuk ekziston asnjë procedurë për dëbimin nga klubi i euros.

Top Channel