“Grupi i zjarrit”, Arbjon Aliko lihet në burg

30/06/2015 00:00

20-vjeçari Arbjon Aliko duket se i habiti gjyqtarët e Krimeve të Rënda kur e pyetën për vendbanimin. Teksa ata prisnin që të citonte fshatin Lazarat, ai u prezantua nga Gjirokastra.

Por ndërsa u arrestua për ngjarjen më të fundit në këtë fshat, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, para gjykatës Arbjon Aliko doli për një tjetër çështje që e kishte emrin tij të arkivuar prej një viti.

Duke qenë se ai ndodhej në listën e të kërkuarve, gjykata rivlerësoi masën e sigurisë “arrest me burg”, të dhënë në mungesë ndaj tij për operacionin e qershorit 2014, kur policia ndërhyri në Lazarat për të goditur kultivimin e kanabisit.

Arbjon Aliko është nën akuzë bashkë me 15 të tjerë për veprat “kultivim të bimëve narkotike”, “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “kundërshtim të policisë”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të municioneve luftarake” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Për këtë çështje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim. Por, Abrjon Aliko, së bashku me të vëllain, Albanin do të dalë sërish të mërkurën para trupës gjykuese për sulmin me armë ndaj policisë të mërkurën e kaluar, po në fshatin Lazarat, pasi dyshohet për “vrasje për shkak të cilësive të veçanta” të efektivit Basha, si edhe për “vrasje të mbetur në tentativë” ndaj pesë punonjësve të tjerë të policisë.

Prokuroria dyshon se dy vëllezërit Alikaj janë edhe organizatorët e këtij sulmi. 

Top Channel