ISIS, përvjetor me masakra

30/06/2015 00:00

Një vit pas shpalljes së Kalifatit në Siri dhe Irak, Shteti Islamik është më i fortë se kurrë. Sukseset e veçuara të aleancës shumëkombëshe nuk kanë mundur t’i zbrapsin përfundimisht ekstremistët e dhunshëm që mbajnë të pashqetësuara në darën e dhunës territore të tëra të të dyja vendeve në fjalë.

Përvjetorin e parë, ISIS-i e festoi me sulmin në Sousse të Tunizisë dhe vrasjen e 38 turistëve, me shpërthimin në xhaminë shitte të Kuvajtit, ku u shënuan edhe aty me dhjetëra viktima dhe më e fundit, autobomba e shpërthyer gjatë një ceremonie varrimi në Jemen. Numri i të vdekurve nuk dihet ende me saktësi. Të plagosurit llogariten në mbi 30.

Sulme të njëpasnjëshme terroriste në vende të ndryshme, të cilat përçojnë një mesazh të vetëm e të qartë: Jemi kudo e mund të godasim në çdo kohë!

Deri përpara një viti, luftëtarët e ISIS-it ishin të përqendruar vetëm në disa zona të caktuara, por përgjatë këtyre muajve e kanë shtrirë rrufeshëm kontrollin e tyre, sidomos në Irakun verior. Pikësynimi kryesor ishte Mosuli. Me marrjen e tij dhe asaj që do të shndërrohej në kryeqendrën “de facto” të kalifatit, Rakasë në Siri, kanë arritur të krijojnë një strukturë të gjerë të cilën mund ta zgjerojnë edhe më shumë. Për ekspertët, në këtë pikë është e qartë se bërthama e shtetit xhihadist vazhdon të rritet.

Në tetor, gadishulli i Sinait në Egjipt u vetëshpall kalifat pak ditë më vonë, lëvizjes së tij iu bashkangjitën pjesë të Libisë. Me gjithë kërcënimet për shkatërrim, ISIS-i edhe pas një viti vazhdon të zgjerohet e madje më shumë se kurrë më parë. Me doza të rralla sinqeriteti, zyrtarët irakianë pranojnë se e kishin nënvlerësuar grupin xhihadist dhe se nuk ua ka marrë mendja që ISIS-i do të tërhiqte në radhët e tij kaq shumë luftëtarë të huaj.

Top Channel