PD: Arben Frroku është larguar në drejtim të paditur

30/06/2015 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Gert Bogdani, një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit që shpalli fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm Arben Frrokun, tha se Frroku është larguar në drejtim të paditur.

“E denoncojmë këtë fakt, sepse Arben Frroku nuk do të ishte sot i lirë edhe pse i dënuar nga Gjykata e Apelit po të mos kishte udhëhequr fushatën e Partisë Socialiste në Pukë prej dy muajsh; po të mos kishte mbështetjen dhe aksesin e kryeministrit të vendit, i cili kaloi më shumë se 1 orë me të, tek turizmi i Pukës, në mes të qytetit vetëm 1 javë para ditës së zgjedhjeve; po të mos kishte kaluar lirshëm dhe pa pengesë pikën kufitare me Malin e Zi dhe po të mos kishte marrë ‘ok’ e Zyrës së Interpol Tirana në momentin që u ndalua nga autoritetet në pikën kufitare mes Malit të Zi dhe Kroacisë”, tha Bogdani.

PD shtoi se faji duhet gjetur te kreu i qeverisë, Edi Rama: “Kryeministri i vendit ka dhe duhet të ketë përgjegjësinë dhe detyrimin ligjor të japë përgjigje para qytetarëve shqiptarë për këto fakte tronditëse. Por, për fat të keq, dhe në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ky ishte standardi i Edi Ramës në këto zgjedhje elektorale; blerja masive e votës; përdorimi dhe presioni i administratës; kandidimi i personave të inkriminuar dhe përfshirja e elementëve të inkriminuar për të mbështetur ata dhe për të shantazhuar shqiptarët. Këto tashmë janë fakte evidente jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ndërkombëtarët, të cilët e kanë denoncuar qartazi këtë realitet në politikën shqiptare”.

Top Channel