PD, Halimi: Video për manipulimin e zgjedhjeve. Në Brucaj u mbushën kutitë

30/06/2015 00:00

Partia Demokratike, përmes deputetit Eduard Halimi ka publikuar këtë të martë një video që, sipas saj, provon manipulimin e zgjedhjeve nga koalicioni qeverisës.

Në një deklaratë për mediat, Halimi ka denoncuar rastin e kutisë së votimit në fshatin Brucaj, ku sipas tij, komisionerët e PS-së dhe LSI-së kanë hedhur vota fiktive.

“PD publikon sot një provë sesi mazhoranca masakroi zgjedhjet e 21 Qershorit. Në fshatin Brucaj, kutia e votimit është tejmbushur me vota nga komisionerët e PS-së dhe LSI-së. Në videon tonë duket qartë që komisionerët e majtë kanë mbushur duart me fletët e votimit, ndërsa komisionerët e PD-së janë nxjerrë me forcë jashtë. Gjithashtu, në kuti u gjetën 388 fletë, kur kanë votuar vetëm 377 persona. Kjo video flet qartë për manipulimin e zgjedhjeve nga pushteti”, ka thënë Halimi.

Deputeti demokrat ka nënvizuar se të njëjtat përpjekje koalicioni i majtë bëri edhe për kandidaten e tij në Shkodër, Keti Bazhdari, duke hedhur në favor të saj 331 vota.

Në fund, Halimi i ka bërë thirrje misionit të OSBE/ODHR të marrë parasysh këtë provë të prezantuar nga opozita në raportin përfundimtar për procesin zgjedhor.

Deklarata e plotë e deputetit Halimi

“Partia Demokratike publikon sot një provë se si pushteti masakroi standardin për zgjedhje të lira më 21 Qershor.

Në komunën Pult të Bashkisë së re të Shkodrës, kutia e votimit numër 0092 e fshatit Brucaj është tejmbushur me vota nga komisionerët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në videon që po transmetojmë dhe që po ia vëmë në dispozicion gjithë medias, duket qartë që komisionerët e majtë kanë mbushur duart me fletë votimi dhe votojnë në masë dhe me qetësi të plotë, ndërsa dy komisionerët e Partisë Demokratike janë nxjerrë forcërisht jashtë komisionit të votimit.

Në kutinë e votimit u gjetën 388 fletë votimi, kur në votim kishin firmosur 377 persona. Në zgjedhjet e vitit 2013, në këtë qendër votimi morën pjesë 125 votues.

Rezultati për këtë qendër votimi me fletë të hedhura në kuti flet qartë për shkallën e madhe të manipulimit të zgjedhjeve nga pushteti. Për kandidaten e majtë Keti Bazhdari janë 331 vota, ose rreth 88%, dy vota për kandidatin e pavarur, ndërsa për kandidaten fituese Voltana Ademi vetëm 44 vota.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal ndaj komisionerëve, që me urdhër mbushën kutinë e votimit për kandidaten e pushtetit. I bëjmë thirrje misionit të OSBE/ODIHR të marrë në ngarkim këtë provë të shkatërrimit të standardit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

Partia Demokratike nuk do të ndalet në denoncimin e çdo akti kriminal të shkatërrimit të zgjedhjeve të 21 Qershorit dhe dyshen e pushtetit që minoi demokracinë shqiptare duke mbushur kutitë e votimit”.

Top Channel