LSI, ankesa për Vorën mbërrin në KQZ. Shqyrtohet të mërkurën

30/06/2015 00:00

Ashtu siç pritej, LSI ka ankimuar pranë KQZ-së rezultatin për Bashkinë e Vorës. Partia e drejtuar nga Ilir Meta kërkon pavlefshmërinë e rezultatit në këtë bashki, ku fitues u shpall kandidati demokrat Fiqiri Ismaili, me 258 vota më shumë se rivali i LSI-së në garë.

Në këtë kërkesë thuhet se, LSI nuk njeh rezultatin e ngushtë për shkak të rreth 600 personave që, sipas saj, janë regjistruar si zgjedhës prej vitit 2013 deri në prag të zgjedhjeve të 2015-s.

Shqyrtimi i kërkesës së relatuar në këtë mbledhje pritet të bëhet ditën e mërkurë dhe është me interes të shihet si do t’i jepet zgjidhje kësaj kërkese nga trupa e institucionit më të lartë zgjedhor.

Kjo, për shkak se çështja e votuesve të Vorës, sikundër Durrësi dhe Kavaja, është duke u hetuar nga prokuroria. Kërkesa e LSI-së për Vorën spikat në rreth 80 kërkesa ankimore që kanë mbërritur në KQZ.

Top Channel