Media: Gjermania harron të shkuarën e saj. Ka refuzuar tri herë pagimin e borxheve

30/06/2015 00:00

Edhe pse të gjitha vendet e Eurozonës janë të përfshira e të angazhuara në zgjidhjen e ngërçit të Greqisë, pesha kryesore e vendimmarrjes rëndon mbi Berlinin. Por, përmes një analize të shkurtër të fakteve të pakundërshtueshme – sipas tij, – “Il fatto quotidiano” del në përfundimin se qeveritë gjermane, ato që sot shfaqen si gjykatëset e papërkulshme të Greqisë, janë specialistë në mospagimin e borxheve të tyre.

E kanë bërë tri herë në të shkuarën përgjatë shekullit të kaluar, – thotë e përditshmja italiane. – Pas Luftës së Parë Botërore, hera e dytë ishte në vitin 1953 dhe e treta më 1990-n, pas bashkimit të Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore.

Në vitin 1923, hiperinflacioni çoi në humbjen e plotë të vlerës së monedhës gjermane, e në paaftësinë për të shlyer pagesat e borxhit për dëmet e luftës. Plani amerikan “Dawes” imponoi në vitin 1924 një monedhë të re, e cila duhej t’u lejonte gjermanëve respektimin e detyrimeve, edhe falë lëshimit të një huaje gjigante ndërkombëtare.

Duke lëshuar një hua gjigante, 4 vite më vonë pati një tkurrje të kuotave të shlyerjes dhe zgjatje tmerrësisht bujare në 60 vjet të kohës për kthimin e borxhit. Në 1933-shin, pasi fituan zgjedhjet, nazistët u dhanë fund pagesave të dëmshpërblimit për luftën e parë.

20 vite më vonë, Gjermania sërish vendoset në situatën e mospagimit. Shkurtin e vitit 1953, Konferenca e Londrës vendosi anulimin e gati dy të tretave, apo 62,6% të borxhit gjerman. Përpos kësaj vjen dhe një tjetër moment zemërgjerësie për zgjatjen e afatit të shlyerjes së pjesës së mbetur të huasë, në më shumë se 30 vite.

Marrëveshja u nënshkrua mes Republikes Federale Gjermane dhe 22 vendeve të tjera, një prej të cilave ishte Greqia.

Mbërrijmë kështu në episodin e tretë, atë të viteve ’90. Kancelari i atëhershëm i Gjermanisë, Helmut Kohl, refuzoi që në atë periudhë të zbatonte ndryshimet, që iu bënë marrëveshjes së Londrës, në lidhje me borxhin e jashtëm gjerman të vitit 1953.

Sipas pikave të marrëveshjes, me rastin e bashkimit, çështja e reparacioneve gjermane të Luftës së Dytë Botërore duhej që të rregullohej sërish. Kërkesa e vetme që u bë ishte që të paguhej një shumë e vogël. Por, me përjashtim të kompensimeve që iu bënë atyre, që kishin qenë në kampet e përqendrimit, Gjermania nuk pagoi asnjë reparacion pas vitit 1990.

Top Channel