FMN: Nuk rrezikoheni nga kriza greke. Progres në rimëkëmbjen ekonomike

30/06/2015 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se kriza në Greqi nuk përbën një burim serioz rreziku për Shqipërinë. Në një dalje publike me autoritetet shqiptare, shefi i misionit të FMN-së në Tiranë, Nadim Ilahi shpjegoi arsyet se pse Fondi ka këtë vlerësim.

“Kur rreziku për Shqipërinë do te ishte i lartë? Kur bankat greke të kishin linja kredie, pra të ishin duke marrë borxh nga mëmat e tyre dhe papritur këto linja mbyllen. Por nuk është ky rasti, sepse bankat greke këtu  nuk varen nga fondet që marrin nga mëmat e tyre. Ato mbështeten plotësisht tek depozitat e brendshme. Pra janë banka lokale që mbledhin para këtu dhe japin borxh po këtu. Kjo është arsyeja se pse ne nuk e vendosim këtë si një situatë me rrezik të lartë për Shqipërinë”, tha Ilahi.

Guverantori i Bankës se Shqipërisë listoi edhe një arsye tjetër, që sipas tij, e bën Shqipërinë imune nga kriza greke.

“Sistemi bankar nuk ka asnjë ekspozim direkt ndaj krizës greke dhe ndaj Qeverisë greke. Analizat tona, në nivele banke dhe në nivel sistemi, konfirmojnë ruajtjen e shëndetit dhe të veprimit normal të sistemit bankar edhe brenda skenarëve ekstreme. Ne jemi në gjendje dhe të gatshëm të marrim masa shtesë nëse do të jetë e nevojshme. Dëshiroj të siguroj sektorin privat se, perspektivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare janë pozitive. Biznesi dhe familjet shqiptare duhet të vazhdojnë të pandikuara planet e tyre të investimit dhe konsumit”, deklaroi Guvernatori, Gent Sejko.

Edhe ministri Cani përjashtoi efektet nga kriza greke.

“Efektet e situatës greke në ekonominë shqiptare janë nën kontroll. Së pari, sepse ajo që po ndodh në Greqi, nuk është e re. kemi 5 vjet që ekonomia jonë përshtatet me këtë gjendje dhe aktorët ekonomikë shqiptare kanë arritur të përshtasin planet e tyre për investime apo tregtime të tjera”, tha Cani.

Një nga sektorët që mund të preket më shumë nga një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona, është ai i eksporteve, por edhe këtu ndikimi është i kufizuar.

“Ulja e fuqisë blerëse në Greqi mund të ndikojë në eksportet tona, por është një çështje për t’u parë me kohë. Ne supozojmnë që do të ulet kërkesa për mallrat shqiptare, megjithatë nuk bëhet fjalë për një ndikim të madh pasi kemi vetëm 5.3 për qind eksporte drejt Greqisë”, sqaroi ministri i Financave.

Sa i përket sistemit bankar, Cani ripërsëriti qëndrimet e shprehura më herët nga specialistët dhe nga Guvernatori Sejko.

“Më me rëndësi është për të theksuar diçka për bankat shqiptare me kapital grek; janë banka shqiptare nga ana ligjore dhe janë tërësisht të shkëputura nga bankat mëmë”, tha Cani.

Për ministrin e Financave, ndikimet nuk do të jenë vetëm negative, por do të ketë edhe efekte pozitive, në rastin e skenarit më të keq për atë që po ndodh në Greqi. Cani tha se Ministria, Qeveria, Banka e Shqipërisë dhe të tjera institucione financiare po ndjekin me kujdes situatën së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të minimizuar çdo risk që mund të shfaqet në këtë drejtim.

Por edhe pse sistemi financiar mbetet i shëndoshë dhe rreziqet nga Greqia, sipas FMN janë minimale, rimëkëmbja e ekonomisë është e ngadaltë. Ilahi tha se Fondi ka korrigjuar në ulje rritjen ekonomike të këtij viti nga 3, në 2.7 për qind.

“Në pikëpamjen tonë programi ekonomik i Shqipërisë vazhdon të bëjë progres. Ne shohim shenja të rritjes ekonomike dhe rimëkëmbjes, që vazhdon. Është një rimëkëmbje modeste për vitin 2015, por gjithsesi pozitive. Vlerësimi ynë për rritjen është 2.7 për qind dhe presim që pjesa e dytë e vitit të jetë më e mirë”, tha ai.

Ndërsa ecuria e dobët në mbledhjen e të ardhurave e ka vënë buxhetin në vështirësi, cka me gjasa do e detyrojë qeverinë ta shkurtojë atë.

“Ne jemi të bindur që Qeveria do të mundë ta mbajë buxhetin nën kontroll dhe deficitin i projektuar do të realizohet deri në fund të vitit”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

“Në asnjë rast korrektimi fiskal i këtij viti nuk do të prekë investimet publike. Pra llogaria kapitale do të ngelet e pacënuar dhe është sfida e Qeverisë që të hedhë ato para sa më shpejt në ekonomi sipas planifikimit”, nënvizoi ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Top Channel