Ndotja nga hidrokarburet, Mjedisi pezullon dhe gjobit disa kompani nafte

30/06/2015 00:00

Prej dy muajsh, Inspektoriati i Mjedisit ka futur në sitë kompanitë e mëdha të naftës, të cilat operojnë në Qarqet e Fierit dhe të Vlorës, ku ndotja nga mbetjet hidrokarbure është shumë e lartë.

Kompania “Feniks” është pezulluar dhe gjobitur me 5 milionë lekë, pasi ka operuar në mënyrë ilegale dhe ka ndotur mjedisin në vendburimin e Amonicës, në Vlorë.

“Kompania ‘Fenix Petroleum’ gjithë këto vite ka punuar në vendburime që kanë qenë pjesë e ‘Albpetrol’-it, i ka shfrytëzuar ato dhe nuk ka qenë e pajisur me leje të posaçme mjedisi për këtë kompani, por ka operuar me lejen e mjedisit bazuar në ligjin e vjetër në pronësi të ‘Albpetrolit’. Masa administrative tashmë është marrë, pezullimi i aktivitetit është kryer dhe, në rast se brenda një periudhe prej 30 ditësh që i është lënë afat kompanisë, nuk do të marrë masat e nevojshme për pajisjen dhe rivlerësimin e lejeve mjedisore dhe një plan menaxhimi të mbetjeve që dalin gjatë prodhimit, atëherë Inspektoriati i Mjedisit do të bëjë revokimin e lejeve mjedisore dhe do t’i kërkojë ‘Albpetrol’-it të ndërpresë kontratën”, u shpreh Ergys Agasi, kreu i IM.

Inspektoriati i Mjedisit ka pezulluar aktivitetin e “ARMO”-s dhe po lejon, që kompania “Bankers” të operojë vetëm me një gropë provizore ekologjike, e cila është miratuar nga ministri i Mjedisit. Kjo kompani ka sjellë një mënyrë krejt tjetër të trajtimit të mbetjeve, e cila po studiohet nga ekspertët e mjedisit, para se të aplikohet në terren.

Probleme janë kostatuar edhe pranë kompanisë “Transatlantik”, në zonën e Gorishtës, ku tubacioni i shkarkimit të mbetjeve është tërësisht i amortizuar.

“Ligji parashikon që gjatë prodhimit, në zonën ku ushtron aktivitetin kompania shfrytëzon atë pjesë të shpimit të vendburimit dhe pasi mbaron me pjesën e shfrytëzimit, me patjetër është e detyruar të marrë masa për rehabilitimin e zonës dhe rehabilitimin e mbetjeve që dalin nga ky proces. Në gjithë këto vite që ato kanë shfrytëzuar këto vendburime nuk është vënë dorë”, tha më tej Ergys Agasi.

Prej 10 vitesh, kompanitë e naftës, të cilat kanë shfrytëzuar nëntokën, nuk janë marrë me rehabilitimin e zonës, edhe pse kjo është një ndër kriteret kryesore të lejes mjedisore.

Top Channel