Presidenti Nishani takon bashkëraportuesit e KiE-së dhe shefen e ODIHR-it, Glover

30/06/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani diskutoi këtë të martë, në takime të veçanta, me bashkëraportuesit për Shqipërinë në Këshillin e Europës, Jonathan Evans dhe Andrej Hunko, dhe shefen e ODIHR-it, Audrey Glover, mbi zhvillimet në disa reforma kyçe dhe zgjedhjet lokale 2015 në Shqipëri.

Gjatë takimit me bashkëraportuesit Evans dhe Hunko u diskutua lidhur me zhvillimet në reformat kyçe, të evidentuara edhe në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Shqipërinë, në fund të 2014.

Presidenti Nishani informoi mbi hapat e hedhur deri më tani, veçanërisht në kuadër të reformës në drejtësi, duke e konsideruar atë përparësi të përparësive dhe çelës për suksesin e reformave në fusha të tjera. “Ky proces kërkon një mekanizëm plotësues ligjor, vullnet të mirëfilltë politik, si dhe ndëshkimin me të njëjtin standard të elementëve të korruptuar dhe dëmtues të sistemit”, u shpreh Nishani.

Kreu i Shtetit siguroi se mbetet i vendosur për të bërë çdo përpjekje për ta sjellë në trajektoren dhe shpejtësinë e duhur këtë proces, duke kërkuar angazhimin dhe përgjegjshmërinë maksimale nga të gjithë aktorët me peshë, pavarësisht ecurisë së deritanishme nën pritshmëritë dhe interesin publik.

Ndërsa në takimin përmbyllës me ambasadoren Glover, z. Nishani foli rreth rëndësisë që patën këto zgjedhje në Shqipëri, në kontekstin e hartës së re administrative dhe përgjegjësive të reja që pritet të marrin drejtuesit e rinj të Bashkive në vend.

“Zgjedhjet mbeten një test i përhershëm i maturimit dhe funksionimit të institucioneve dhe mekanizmave zgjedhore, klasës politike por edhe të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë qytetare”, theksoi Presidenti.

Duke bashkëndarë vlerësimet dhe shqetësimet e ekipit të monitorimit të ODIHR, të reflektuara edhe në raportin e ndërmjetëm të bërë publik, Presidenti Nishani sugjeroi disa rekomandime për t’u marrë parasysh në interesin më të mirë publik, duke shpresuar se adresimi në kohë i tyre do të kontribuojë më tej në përmirësimin e kulturës politike në Shqipëri.

Nga ana e saj, ambasadorja Glover vuri në dukje se vullneti politik mbetet kyç në këtë proces, ndërkohë që ai mbetet i pakodifikueshëm në legjislacion. Ajo bëri me dije se,bashkë me ekipin monitorues do të përmbyllin raportin në harkun e 8-10 javëve të ardhshme, duke reflektuar edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të ardhshme zgjedhore në Shqipëri.

Top Channel