Engel, thirrje Kosovës: Votoni Gjykatën Speciale! Alternativë tjetër është OKB-ja

30/06/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës të votojë pro krijimit të Gjykatës Speciale, sepse alternativa tjetër është krijimi i saj nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Kjo, në fakt, është edhe porosia e përfaqësuesit të Kongresit amerikan, Eliot Engel, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë. Ai i bëri këto komente në një konferencë për shtyp, pas takimit që zhvilloi me krerët e Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese, ku edhe rikonfirmoi mbështetjen e Amerikës për Kosovën dhe popullin e saj.

“Mendoj se është shumë me rëndësi, që Kuvendi i Kosovës ta kalojë ligjin për Gjykatën Speciale. E di që ky është një vendim i vështirë, i dhimbshëm, i pamundshëm, por alternativa e vetme për ta krijuar këtë gjykatë është, që ajo të themelohet në Kombet e Bashkuara. Nuk besoj se Kosova do të përjetonte ditën e saj më të mirë, po të shkonte kjo gjykatë në Kombet e Bashkuara. Mendoj se zgjidhja është e vështirë dhe e dhimbshme, por, prej dy mundësive të gatshme, më e mira është që vetë Kosova ta themelojë Gjyaktën Speciale”, tha Eliot Engel, anëtar i Kongresit amerikan.

Për kongresmenin amerikan është e rëndësishme gjithashtu, që Kosova të forcojë sistemin e saj juridik, të angazhohet në shkarkimin e gjykatave nga rastet e shumta të grumbulluara dhe të mos ketë ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë. Engel shtoi se, është krenar me sukseset e Kosovës, për çka – siç kujtoi, – është angazhuar fort edhe ai vetë.

“Jam shumë i lumtur, që jam në Kosovë. Jam shumë krenar për Kosovën, si vend i pavarur dhe i lirë, për çka unë kam luftuar shumë dhe për një kohë të gjatë. Më ka ardhur mirë, që ta shoh një gjë të tillë para syve të mi. Natyrisht që disa sfida kanë mbetur, janë me mijëra raste të pazgjidhura. Duhet të sigurohemi, që sistemi i drejtësisë të jetë i lirë nga ndikimi politik dhe i pavarur, sepse gjykatat e lira janë çelësi i demokracisë. Më lejoni t’iu them, që Shtetet e Bashkuara do ta përkrahin edhe më tutje Kosovën, që të vazhdojë të bëhet një vend i fuqishëm dhe të ndërtojë një demokraci të fuqishme”, tha më tej Eliot Engel.

Kongresmeni amerikan, i shoqëruar edhe nga ambasadorja e SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, është pritur edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Sipas komunikatës për shtyp, në takim u diskutua për rendin dhe ligjin, detyrimet ndërkombëtare, perspektiva europiane dhe normalizimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit.

Siç thuhet në komunikatë, Presidentja, sa i përket Gjykatës Speciale, është në pritje që qeveria dhe Kuvendi të gjejnë mënyrën e përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare, në respektim të vendimeve të Kuvendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Top Channel