Ministri grek i Financave tashmë e ka bërë thuajse zyrtare refuzimin e këstit të borxhit ndaj FMN-së, prej 1,6 miliard eurosh, ndërkohë që në total, borxhi i Greqisë ndaj huadhënësve ndërkombëtarë – përfshi BE-në, FMN-në dhe BQE-në, – është në shifra edhe më alarmante.

Konkretisht, Greqia është borxhlie në shifra rekord ndaj Gjermanisë, me plot 68,2 miliardë euro, pas së cilës vijnë vende të tjera të BE-së, si Franca, Italia, Spanja, që në rend zbritës presin të shlyhen nga Athina zyrtare respektivisht me 43,8 mld euro, 38,4 mln euro dhe 25 mld euro.

Institucioneve ndërkombëtare si FMN dhe BQE, Athina iu detyrohet 21,4 mld euro dhe 18,1 mld euro në total, shumë prej së cilës Greqia nuk arriti dot të shlyejë edhe këstin prej 1,6 mld eurosh që detyrohej ta bënte me 4 ndarje brenda muajit qershor, por që e shtyu disa ditë më parë deri në ditën e sotme, për ta refuzuar tashmë.

Ndër vendet e vogla, por jo me kontribute edhe aq të vogla në ndihmën ndaj Greqisë, renditen edhe Holanda, SHBA-të, Britania e Madhe, Belgjika, Austria dhe Finlanda; respektivisht me 13,4 mld euro, 11,3 mld euro, 10,8 mld euro, 7,5 mld euro, 5,9 mld euro dhe 3,7 mld euro.

Top Channel