Kosovë, prodhues/përpunuesit e produkteve të qumështit sërish në protestë

30/06/2015 00:00

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit kanë protestuar sërish në Prishtinë, ku u kërkua ndalimi i produkteve që nuk janë të sigurta për konsum, si dhe krijimi i një konkurrence të lirë dhe të barabartë në vend.

E ndërsa protestën e kaluar marshuan me mjete pune në rrugët kryesore të qytetit, kësaj radhe prodhuesit e qumështit protestuan vetëm para qeverisë me moton “Mbrojmë shëndetin dhe prodhimin vendas”.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Naser Bajraktari tha se, Qeveria duhet t’i mbrojë investimet vendase.

“Kemi përmirësuar prodhimet tona si në cilësi, ashtu edhe në sasi. Këtë do ta bëjmë edhe në vazhdim në të ardhmen, sepse është në interes të të gjithëve. Është në interes të Qeverisë së Kosovës, që të ruajë këto vende pune të krijuara dhe, për të rritur numrin e tyre, është në interes të konsumatorit që t’i njohë këto përparime që kemi bërë. Le të tregojmë se edhe sot kemi dalë, që Qeveria t’i mbrojë investimet e këtij sektori dhe të mundësojë treg të barabartë për të gjitha produktet dhe nënproduktet e qumështit”, tha Naser Bajraktari.

Bajraktari tha se, imitimet dhe përzierjet e tjera, që në Kosovë tregtohen si prodhime qumështi, po mbysin tregun kosovar dhe duhet të trajtohen në instancat më të larta shtetërore.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Ramadan Mema deklaroi se, kërkesat e tyre nuk po merren parasysh nga Qeveria e Kosovës.

“Kërkesat tona për ndalimin e shkeljes së ligjit për produktet që vijnë nga importi, për ndalimin e produkteve që janë të pasigurta për konsum, për aplikimin e masave mbrojtëse, për krijimin e një konkurrence të lirë e të barabartë në vendin tonë, po mbesin jashtë agjendës së Qeverisë së Kosovës. Asgjë të re nuk ka në drejtim të zgjidhjes së tyre, përsëri njësoj. Nuk mjaftojnë kërkesat dhe as faktet, për ta bindur Qeverinë e Kosovës se duhet të merret me zgjidhjen e problemeve në sektorin e prodhimeve të qumështit në Kosovë”, tha Ramadan Mema.

Në fund të protestës u organizua një aktivitet, duke shpërndarë falas prodhime qumështi të përpunuara nga protestuesit.

Top Channel