Chris Christie, kandidati i radhës republikan për Presidencialet amerikane

30/06/2015 00:00

Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, rritja “meteorike” e të cilit si republikan mbarëkombëtar gjatë mandatit të parë u pasua nga një humbje spektakolare e staturës së tij në vendlindje gjatë mandatit të dytë, do të jetë zyrtarisht pjesë e garës presidenciale në SHBA, duke pasur shumë pak ngjashmëri me kandidatin “e dikurshëm” që pritej të ishte.

Rimëkëmbja ekonomike e premtuar prej tij është kthyer në një “ujëvarë” të shëmtuar të rënieve të kredive dhe një rritje “anemike” e punësimit. Pensionet shtetërore për të cilat u zotua se do t’i përmirësonte, shkuan drejt një “bataku” pagesash të pashlyera dhe një sërë padish të ngritura. Administrata, për të cilën ai u zotua se do të ishte një shembull i përkryer etike, u katandis drejt një trupe që e zhyti qytetin në një trafik të jashtëzakonshëm, ndërsa zyrën e guvernatorit drejt një skandali.

Vetëm 3 vite e gjysmë më parë, Chris Christie shfaqej tepër popullor, imponues, bindës dhe fenomenal, një antidot që po shqetësonte së tepërmi markën “republikane”, aq sa figurat më të larta të partisë së tij e nxitën të kandidonte për president, si një zëvendësues eventual i kandidatit Mitt Romney.

Por sot, një shifër tronditëse prej 55 për qind të republikanëve në votimet paraprake tregojnë se nuk mund të parashikohet aspak një votë pro Christie, një handikap i madh prej të cilit vështirë të nisësh një fushatë kombëtare. I vetmi kandidat më pak i pëlqyeshëm, Donald Trump, një sipërmarrës që u kthye në një yll televizioni.

Me këto dy shtylla të kandidimit për Presidencialet e 2016-s; historinë e tij dhe gjykimin e tij; më i lëkundur se kurrë më parë, Christie duhet të krijojë një fushatë përreth pasurisë së tij më të papërligjur dhe më të vyer: personalitetin e tij.

Kandidatura do të shpallet prej orës 11 të mëngjesit (me orën amerikane) të së martës, nga një gjimnaz i Livingstonit, ku 52-vjeçari Christie, djalë i prindërve siçiliano-amerikan dhe irlandezo-amerikan, u rrit dhe u bë për herë të parë president i klasës së tij. Ai u tha mbështetësve përpara shpalljes zyrtare, se do të garonte për President të SHBA-ve.

Top Channel