Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian kanë takuar në selitë e tyre partiake në Tetovë, udhëheqësit e dy partive shqiptare, Ali Ahmetin nga BDI-ja dhe Menduh Thaçin nga PDSH-ja, për të biseduar rreth situatës së fundit në Maqedoni.

Para diplomatëve, kreu i BDI-së ka prezantuar pikëpamjet e partisë së tij për zgjidhjen e ngërçit politik, që ka bllokuar institucionet e vendit dhe procesin e integrimit. Ahmeti ka theksuar se, për normalizimin e situatës në Maqedoni, udhëheqësit politikë duhet t’i vendosin në plan të parë interesat e qytetarëve.

“Shpresoj, që palët të kenë reflektuar dhe uroj, që deri në përfundim të kësaj jave të afrohen qëndrimet dhe të ndërtohet një strategji, sesi të zbatojmë të gjitha rekomandimet që vijnë nga Brukseli, për t’u kthyer vullneti për punë te të gjitha institucionet shtetërore”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

17 ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Maqedoni, u priten në takim edhe nga kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi. Bashkëbiseduesit, edhe në këtë takim janë përqendruar te situata e përgjithshme në vend, zgjidhja e krizës politike dhe zhbllokimi i procesit integrues, e me këtë rast Thaçi ka prezantuar ofertën e tij për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Para diplomatëve të huaj, kreu i PDSH-së ka theksuar se, krahas sfidave momentale, fokusimi në agjendën euroatlantike – përmes zbatimit dhe realizimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian, – përfshirë këtu edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe zgjidhjen e tyre konform “Marrëveshjes se Re” politike, që ofron PDSH-ja, janë rruga e vetme për të dalë nga kriza dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë.

Top Channel