Kosovë, papunësia në 2014-n ishte 35.3%

30/06/2015 00:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore 2014” në Kosovë, ku thuhet se shkalla e papunësisë në vitin 2014 është 35.3%. Papunësia te femrat është më e lartë, pasi shkon deri në 42%.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 41.6 %. Rreth një në pesë femra të moshës së punës (21.4%) janë aktive në tregun e punës, krahasuar me tri të pestat (61.8%) të meshkujve.

Ndërsa, shkalla e punësimit, sipas rezultateve të dala nga Anketa e Fuqisë Punëtore 2014, është 26.9%.

Shqetësues paraqitet papunësia te të rinjtë, e cila arrin deri në 61%. Papunësia është më e lartë te femrat e reja me 71.7%,  sesa te të rinjtë meshkuj me 56.2%.

Të dhënat e importit dhe eksportit gjatë muajit maj

Agjencia e Statistikave te Kosovës publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2015.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin maj 2015 prej 210,3 milionë Euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, ku deficiti ishte 205,0 milionë Euro. Eksporti mbulon importin me 11.5%. Eksporti i mallrave në muajin maj 2015 kishte vlerën 27,3 milionë Euro, ndërsa importi 237,7 milionë Euro. Duke krahasuar periudhën e njëjtë të vitit 2014, vërehet një rritje prej 15.4% për eksport, si dhe 3.9% për import.

Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partnerë kryesorë tregtarë janë vendet e BE-së,  të cilat marrin pjesë me 35.5% për eksport dhe 40.8% për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-s marrin pjesë me 37.7% për eksport dhe 30.3% për import.

Top Channel