E majta europiane uron PS-LSI: Hetim akuzave për manipulim. Të befasuar nga Elmar Brok

30/06/2015 00:00

Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian përmes një deklarate kanë uruar kalicionin qeveritare për atë që ata e quajnë “fitore domethënëse në zgjedhjet lokale në Shqipëri”.

Gianni Pittella, presidenti i grupit: “Unë përgëzoj ngrohtësisht kryetarët socialiste të bashkive dhe këshilltarët për zgjedhjen e tyre dhe i ftoj ata të zbatojnë platformat e reformave progresive, që ju ofruan atyre këtë sukses. Rezultatet mbresëlënëse të koalicionit të majtë, duke përfshirë edhe kryeqytetin e Tiranës, është një shenjë e qartë se qytetarët shqiptarë duan të kthejnë një faqe të re për një të ardhme progresive europiane”.

Ndërsa Knut Fleckenstein, zv.president i grupit, përgjegjës për punët e jashtme dhe raportues për Shqipërinë në PE, dha këtë koment:
“Zgjedhjet lokale të 21 qershorit ishin një tjetër hap drejt konsolidimit të demokracisë në Shqipëri. Sipas deklaratës paraprake të OSBE/ODIHR dhe vëzhgimeve të disa ambasadave të BE-së, panorama e përgjithshme e zgjedhjeve ishte e mirë dhe absolutisht më e mirë në krahasim me sondazhet e mëparshme. Megjithatë, një numër sfidash duhet ende të adresohen, por vendi është në rrugën e duhur. Ne shpresojmë, pra, se së shpejti Shqipëria do të marrë dritën e gjelbër për fillimin e negociatave me BE-në”, tha ai.

Raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein flet edhe për qëndrimet e mbajtura nga eurodeputeti Elmar Brok.

“Akuzat për manipulime duhet të hetohen. Kërkesat e tilla nga ana e opozitës nuk janë provuar ende. Unë jam i befasuar nga deklaratat e fundit të kryetarit të komitetit të punëve të jashtme Elmar Brok, në televizionet shqiptare. Duke marrë parasysh rolin e tij institucional, ai duhet të ushtrojë detyrat e tij në mënyrë të paanshme dhe jo vetëm të reagojë me kërkesë të aleatëve politikë të EPP”, deklaroi ai.

Megjithatë Fleckenstein thotë se fjalën e fundit për zgjedhjet e 21 Qershorit ta thotë raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it.

“Ne jemi në pritje të deklaratës përfundimtare nga misioni i vëzhgimit zgjedhor të OSBE-ODIHR-it, në dy muaj, e cila do të marrë parasysh ndjekjen e ankesave individuale dhe të japë një vlerësim përfundimtar, duke përfshirë rekomandime se si të përmirësohet më tej procesi zgjedhor”, nënvizoi Fleckenstein.

Top Channel