Gjakovë-Torino, firmoset marrëveshja e bashkëpunimit

01/07/2015 00:00

Krerët e të dy komunave, asaj të Gjakovës dhe Torinos, kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka zhvilluar një takim në qytetin italian, ku është pritur nga i pari i Torinos, Piero Fasino, me të cilin kanë rënë dakord për bashkëpunim në disa fusha.

Në fushën e arsimit, Universiteti i Torinos do të ofrojë bursa për studentët gjakovarë, ndërsa do të fillojë bashkëpunimin me Universitetin e Gjakovës, për drejtimet “Infermieri” dhe “Fizioterapi”. Po ashtu, do të ndihmojë në ngritjen e një biblioteke universitare në Gjakovë.

Në fushën e ekonomisë, Komuna e Gjakovës u ka ofruar një zyrë të përhershme kompanive italiane nga Torino, në mënyrë që të bëhet lidhja me kompanitë shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria.

Gjithashtu, palët kanë rënë dakord edhe për disa pika të tjera, por që më gjerësisht do të bëhen të ditura pas takimit që pritet të bëjë një delegacion i Komunës së Torinos në Gjakovë, në fund të këtij muaji.

Me këtë rast do të organizohet edhe një konferencë për promovimin e investimeve në Gjakovë.

Top Channel